Bashkia në aksion për mbrojtjen e shëndetit publik.
Bashkia e Lushnjës ka nisur një tjetër ndërhyrje në kuadër të mirëmbajtjes së mjedisit dhe mbrojtjes së shëndetit publik. Gjatë dy netëve të fundit, në orët e mesnatës, u zhvillua procesi i dezinsektimit në disa nga rrugët dhe hapësirat më të frekuentuara të qytetit.
Punimet u realizuan në kuadër të projektit të Bashkisë Lushnjë dhe nga Drejtoria e Pasurisë Publike. Dezinsektimi përfshiu Shëtitoren e Kongresit, rrugët “Misto Mame”, “Fan Noli”, “Vedut Dokollari”, “Uran Gogu”, “Pavarësia”, si dhe parkun qendror të qytetit.
Ky proces synon reduktimin e pranisë së insekteve, krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të sigurt për qytetarët, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur temperaturat e larta favorizojnë shtimin e tyre.
Gjatë zhvillimit të ndërhyrjes, Bashkia u bëri thirrje qytetarëve të shmangnin qëndrimin në zonat ku po kryhej dezinsektimi dhe të mbanin të mbyllura dritaret e banesave pranë rrugëve të trajtuara, deri në përfundim të procesit.
Sipas Drejtorisë së Pasurisë Publike, këto ndërhyrje do të vijojnë edhe në zona të tjera të qytetit, si pjesë e planit periodik të Bashkisë së Lushnjës për garantimin e higjienës publike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve.