Pas një ngadalësimi në muajt prill dhe maj, regjistrimet për herë të parë të automjeteve në vend janë rikthyer në rritje gjatë qershorit.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, gjatë muajit qershor u regjistruan 9 mijë e 915 automjete të reja, niveli më i lartë i këtij viti, shumë pranë kufirit të 10 mijë mjeteve.
Në total, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit janë regjistruar afro 49 mijë automjete, ose 3 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, në fund të qershorit, në Shqipëri qarkullonin gati 1.1 milionë automjete.
Koreja e Jugut mbetet burimi kryesor i automjeteve të importuara, me rreth 25 për qind të regjistrimeve të reja, ndërsa Kina renditet e dyta me 17 për qind, e nxitur nga kërkesa në rritje për automjetet elektrike. Së bashku, këto dy vende përbëjnë 42 për qind të të gjitha mjeteve të regjistruara për herë të parë në gjashtëmujor.
Megjithatë, në qershor u vu re një rënie e interesit për makinat elektrike. Vetëm 775 automjete elektrike u regjistruan gjatë muajit, niveli më i ulët për këtë vit. Pavarësisht kësaj, në gjashtëmujor numri i tyre arriti në rreth 5 mijë e 700, ose 3.4 herë më shumë se një vit më parë.
Sa i përket markave më të preferuara, Volkswagen kryeson me afro 8 mijë automjete të regjistruara, i ndjekur nga Mercedes-Benz dhe Audi. Ndërsa marka kineze BYD është ngjitur në vendin e katërt, duke konfirmuar rritjen e interesit për automjetet elektrike në tregun shqiptar.