Në një moshë kur duhej të shijonin qetësinë e pensionit, Hajri dhe Dallëndyshe Ago, të dy 75 vjeç, nga fshati Çermë Shkumbin, Njësia Administrative Tërbuf, Bashkia Divjakë, vazhdojnë të punojnë çdo ditë në tokën e tyre.
Çifti kultivon rreth pesë dynymë me shalqi, ndërsa krahas tyre mbjell edhe bostan e perime të tjera. Çdo mëngjes janë në arë, duke u kujdesur për prodhimin, ndërsa më pas dalin buzë rrugës për ta shitur vetë, pasi thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër.
Sipas tyre, pikat e grumbullimit në Divjakë e blejnë shalqirin me vetëm 7 deri në 8 lekë për kilogram, një çmim që, sipas fermerëve, nuk mbulon as kostot e prodhimit.
Sipas çiftit pesionist “Me këto çmime nuk përballohet jeta. Jemi pensionistë, kemi nevojë edhe për ilaçe. Me 7 apo 8 lekë për kilogram nuk mbulojmë shpenzimet. Prandaj dalim në rrugë dhe e shesim vetë me rreth 13 lekë për kilogram, që të nxjerrim të paktën mundin tonë.”
Edhe pse fëmijët e tyre jetojnë në emigracion në kërkim të një jete më të mirë, Hajriu dhe Dallëndyshja nuk kanë hequr dorë nga toka. Ata thonë se puna është bërë domosdoshmëri për të përballuar jetesën dhe jo më zgjedhje.
Fermeri shpreh shqetësimin se institucionet nuk po i kushtojnë vëmendjen e duhur bujqësisë dhe se mungesa e mbështetjes, së bashku me çmimet e ulëta të grumbullimit, po i detyron shumë fermerë të shesin prodhimet buzë rrugës.
Historia e Hajriut dhe Dallëndyshes është historia e shumë familjeve fermere shqiptare, të cilat edhe pas daljes në pension vazhdojnë të punojnë tokën, duke shpresuar se mundi i një viti të tërë do të shpërblehet me një çmim të drejtë shprehen Hajriu.