Hyrja dhe dalja e qytetit të Lushnjës, nga rrethrrotullimi i Plugut drejt qendrës së qytetit dhe anasjelltas, ofron një panoramë tërheqëse me palma, gjelbërim dhe pemë dekorative. Një projekt që i ka dhënë kësaj zone një pamje moderne dhe mikpritëse.
Por, në mes të kësaj panorame, një problem bie menjëherë në sy. Kanali ujëpërcjellës që përshkon këtë segment është mbuluar pothuajse tërësisht nga kallamishtet dhe bimësia e pakontrolluar, duke dëmtuar estetikën e një prej hyrjeve kryesore të qytetit.
Çdo mbrëmje, dhjetëra qytetarë zgjedhin këtë aks për shëtitje, por pamja e kanalit të mbuluar me kallamishte dhe mbetje bimore lë një përshtypje jo të mirë.
Ndërkohë, krahu tjetër i rrugës mbahet i sistemuar dhe i gjelbëruar, çka e bën edhe më të dukshëm kontrastin mes dy anëve të këtij projekti.
Ky kanal është në administrimin e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Fier. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje për pastrimin e kanalit dhe mirëmbajtjen e tij, në mënyrë që hyrja e Lushnjës të ketë pamjen që meriton dhe të ruhet një nga hapësirat më të bukura panoramike të qytetit.