Çmimet ndërkombëtare të naftës kanë shënuar rënie të ndjeshme, duke arritur nivelin më të ulët që nga muaji mars, pas njoftimit për marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila parashikon edhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Gjatë tregtimit të së hënës, nafta Brent ra me 4.08 dollarë, ose 4.7%, duke u vendosur në 83.25 dollarë për fuçi. Ndërkohë, nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) humbi 4.35 dollarë, ose 5.1%, duke zbritur në 80.53 dollarë për fuçi.
Kjo rënie vjen pas një tjetër tkurrjeje prej më shumë se 3% të regjistruar të premten, duke reflektuar optimizmin e tregjeve për një lehtësim të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rikthimin e qarkullimit normal të furnizimeve me naftë.
Sipas raportimeve, Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi në Zvicër të premten, ndërsa në proces ka luajtur rol ndërmjetësues edhe Pakistani.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën se Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur “pa pagesë” dhe se bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane do të marrë fund.
Nga ana tjetër, agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Mehr raportoi se drafti i marrëveshjes parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda 30 ditëve, një zhvillim që pritet të ndikojë pozitivisht në stabilitetin e tregjeve globale të energjisë dhe në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit