Vlorë, shpallet fituesi i tenderit për parkimin nëntokësor

Bashkimi i operatorëve “Valona Konstruksion” është shpallur fituese e tenderit për ndërtimin e godinës së parkimit nëntokësor në qytetin e Vlorës, pjesë e projektit për zhvillimin e nyjeve multimodale të mobilitetit në rajonin 3 dhe rajonin 4. Sipas dokumenteve të procedurës së prokurimit, oferta fituese është paraqitur në vlerën 512,5 milionë lekë, ose 13.9% më e ulët se fondi limit prej 595 milionë lekësh i përcaktuar nga autoriteti kontraktor, Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Projekti parashikon ndërtimin e një godine parkimi me dy kate nëntokë në pjesën perëndimore të qytetit të Vlorës, si dhe krijimin e një hapësire publike rekreative në sipërfaqe. Sipas dokumentacionit teknik, objekti do të ndërtohet mbi një parcelë me sipërfaqe totale prej 9,557.76 metrash katrorë. Niveli i parë nëntokësor do të shtrihet në një sipërfaqe prej 9,235.98 metrash katrorë dhe do të shërbejë kryesisht për poste parkimi dhe ambiente teknike.
Kapaciteti i parkimit është projektuar për 295 automjete. Nga këto, pesë vende parkimi do të jenë të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa gjashtë vende do të rezervohen për automjetet elektrike. Dokumentacioni teknik parashikon gjithashtu sistemimin e sipërfaqes mbi strukturën e parkimit, e cila do të funksionojë si park dhe hapësirë publike për qytetarët. Sheshi do të realizohet me materiale dhe rifinitura në harmoni me shtrimin ekzistues të zonës. Ndërtimi i parkimit nëntokësor synon të përmirësojë menaxhimin e trafikut dhe parkimit në qytetin bregdetar, duke krijuar njëkohësisht më shumë hapësira publike në funksion të komunitetit dhe vizitorëve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033

 
Ndaj Postimin: