Fermerët e Polozhanit kultivojnë shalqirin e hershëm në fusha !

Fermerët e fshatit Polozhan, njësia administrative Poshnjë, Bashkia Dimal, prej vitesh kultivojnë në tokat e tyre bujqësore shalqirin dhe bostanin e hershëm, duke përdorur metodën e mbulimit me plastmas për të siguruar prodhim të hershëm për tregun vendas dhe eksportin.

Pamjet flasin vetë, ku përgjatë aksit rrugor Syzez–Poshnjë parcelat anës rrugës janë të mbjella me shalqinj dhe bostanë. Fermerët shprehen jashtë kamerave se dalja e hershme në treg me metodën e mbulimit të fidanëve me plastmas u jep mundësi të sigurojnë prodhim më të hershëm, megjithëse kostot dhe shpenzimet janë të larta dhe mbulohen nga vetë ata.

Një pjesë e fermerëve tregtojnë prodhimet e tyre përgjatë aksit rrugor Syzez–Berat, ku shumë drejtues mjetesh ndalojnë për të blerë shalqinj direkt nga parcelat bujqësore. Sipas fermerëve, prodhimi i hershëm mbetet një mundësi e mirë për tregtim, me shpresën se çmimi do të jetë i favorshëm gjatë sezonit.

Megjithatë, shqetësim kryesor për ta mbetet mungesa e subvencioneve dhe fuqisë punëtore. Ata shprehen se të rinjtë janë larguar drejt emigracionit ose qyteteve të mëdha për një jetë më të mirë, ndërsa tokat sot punohen kryesisht nga moshat e pensionit dhe pak banorë që kanë mbetur ende në fshat.

Fermerët kërkojnë më shumë mbështetje nga institucionet për sektorin e bujqësisë, sidomos për uljen e kostove të prodhimit dhe sigurimin e tregut për shitjen e produkteve. Sipas tyre, puna në bujqësi është bërë gjithnjë e më e vështirë për shkak të rritjes së çmimeve të plehrave kimike, naftës dhe materialeve plastike. Pavarësisht vështirësive, ata vijojnë të punojnë tokat me shpresën për një sezon të mbarë dhe fitime më të mira. Në parcelat bujqësore puna nis që në orët e para të mëngjesit, ku fermerët kujdesen çdo ditë për prodhimin e tyre deri në daljen në treg.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033