Këto pamje i përkasin lagjes së komunitetit rom në Grabian, Bashkia Divjakë, ku prej vitesh banorët e këtij komuniteti presin investime në hapësirat përpara pallateve dhe në rrugicat e lagjeve ku jetojnë.
Shpeshherë ata janë bërë pjesë e kronikave televizive duke kërkuar përmirësim të kushteve të jetesës, por shprehen jashtë kamerave se deri tani kanë marrë vetëm premtime dhe asgjë konkrete. Banorët ankohen për mungesën e rrugëve të sistemuara dhe të kanalizimeve, ndërsa theksojnë se askush nuk interesohet për problematikat e komunitetit të tyre.
Sipas tyre, investimet në këtë zonë kanë munguar prej shumë vitesh, ndërsa kushtet e vështira vazhdojnë të ndikojnë në jetën e përditshme të familjeve që banojnë aty. Një banore e moshuar, gjatë prononcimit për mikrofonin e TV Apollon, tregoi me duart e lodhura nga jeta vështirësitë që përballojnë çdo ditë për shkak të mungesës së investimeve në lagjen ku jetojnë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet vendore për sistemimin e rrugëve, ndriçimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në të gjithë zonën. Ata shprehen se gjatë stinës së dimrit situata bëhet edhe më e vështirë për shkak të baltës dhe ujërave që mbushin rrugicat e lagjes. Sipas komunitetit, mungesa e investimeve ka ndikuar edhe në jetën sociale dhe ekonomike të familjeve që jetojnë aty. Ndërkohë, banorët shpresojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe problematikat e kësaj lagjeje të marrin zgjidhje konkrete.