Në njësinë administrative Ballagat, Bashkia Lushnjë, u zhvillua panairi “Festa e Darsisë”, pikërisht në kodrinën e Mallagjeçit, aktivitet që organizohet për të tretin vit radhazi.
Sipas të pranishmëve, pjesëmarrja në këtë aktivitet ka qenë e ulët, me pak stenda dhe një prezantim të dobët nga banorët e zonës. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve rezultonin të ishin punonjës të administratës së Bashkisë së Lushnjës dhe njësive administrative si Hysgjokaj, Karbunarë e Vogël, Fiershegan dhe Dushk, si edhe nga rajone të ndryshme të qytetit.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe kryebashkiakja Eriselda Sefa, e shoqëruar nga deputetët Asfloral Haxhiu dhe Elton Korreshi, si edhe nënkryetaret Maldrita Bardho dhe Edlira Mezini.
Aktiviteti nisi me këngë dhe valle tradicionale të interpretuara nga fëmijët e Qendrës Kulturore të Lushnjës, të cilët sollën atmosferë festive për të pranishmit. Pjesë e panairit ishte edhe grupi i sazeve të Darsisë, që interpretoi muzikë tradicionale të zonës, duke sjellë elementët karakteristikë të trashëgimisë kulturore darsjote.
Në stendat e panairit u ekspozuan produkte tradicionale të zonës, prodhime bujqësore dhe pemëtari, ndërsa më së shumti u promovua vaji i ullirit, një nga produktet karakteristike të kësaj treve. Organizatorët synojnë që përmes këtij aktiviteti të promovojnë traditën, kulturën dhe produktet vendase të zonës së Darsisë, megjithëse pjesëmarrja këtë vit rezultoi më e ulët.
Në përfundim të panairit, drejtuesit e pushtetit lokal dhe deputetët vizituan stendat, ndërsa kryebashkiakja Sefa u shpreh për mediat se aktivitete të tilla synojnë ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e vlerave të zonës.