Fermerët dhe plantacionet me kajsi e fruta të hershme në Barbullinjë!

Tashmë fshati Barbullinj i Lushnjës është një ndër zonat ku plantacionet me pemë frutore po marrin gjithnjë e më shumë zhvillim. Veç pjeshkës, në këtë zonë kultivohet edhe kajsia e hershme, një nga frutat më të kërkuara të sezonit.

Këto pamje i përkasin parcelave të shumta në këtë zonë fushore, ku prodhimet e hershme grumbullohen nga pikat e grumbullimit për eksport dhe tregun vendas. Çmimi i grumbullimit për eksport për kajsinë ka arritur në 220 lekë të reja për kilogram, ndërsa në tregun vendas me pakicë varion deri në 300 lekë të reja për kilogram.

Fermerët shprehen të kënaqur me çmimin aktual të tregut, por njëkohësisht kërkojnë më shumë subvencione nga shteti për bujqësinë dhe pemëtarinë, me qëllim përballimin e vështirësive dhe dëmeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, uljet e temperaturave apo moti i keq në periudhat më të ndjeshme të prodhimit.

Vetëm një vit më parë, plantacionet me pemë frutore në këtë zonë u dëmtuan ndjeshëm nga stuhitë e breshërit në fazën e formimit të kokrrës, duke sjellë humbje të mëdha për fermerët.

Megjithatë, kajsia mbetet një nga frutat më fitimprurëse dhe të preferuara në treg. Fruti i ëmbël dhe i kërkuar po u siguron fermerëve të kësaj zone një treg konkurrues dhe të qëndrueshëm si për eksport ashtu edhe për konsum vendas.

Fshati Barbullinj tashmë është kthyer në një zonë të rëndësishme të plantacioneve frutore, me kultura të ndryshme të mbjella sipas kategorive dhe periudhave të prodhimit, duke sjellë fruta të hershme në treg që nga muaji maj, me kajsinë e hershme dhe më pas me varietetet e tjera të sezonit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033