Karta e Studentit, një premtim social me ndikim të kufizuar për studentët

Politikat sociale në arsimin e lartë përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të shtetit social, me synimin për të garantuar akses të barabartë dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës së studentëve. Në këtë kuadër, Karta e Studentit u konceptua si një instrument lehtësues i barrës financiare që shoqëron ndjekjen e studimeve universitare.

Megjithatë, realiteti i zbatimit të kësaj politike tregon një hendek të dukshëm mes objektivave të shpallura dhe përfitimeve reale për studentët. Edhe pse e premtuar që në fillim të viteve ’90, Karta e Studentit u vu në funksion vetëm pas protestave studentore të vitit 2018 dhe nisi zbatimin në vitin 2019, në kuadër të Paktit për Universitetin. Pritshmëritë e larta që e shoqëruan këtë nismë rezultojnë, pas shtatë vitesh, kryesisht të pambushura.

Të dhënat e vitit akademik 2025–2026 tregojnë se në universitetet e Tiranës vetëm 29.32% e studentëve janë pajisur me Kartën e Studentit, pra rreth një në tre studentë. Kjo shifër ngre pikëpyetje serioze mbi aksesueshmërinë dhe funksionin real të saj, duke qenë se karta synon të jetë dokument universal për çdo student.

Situata paraqitet edhe më problematike në nivel vendor. Në Bashkinë Durrës vetëm 6.24% e studentëve janë pajisur me kartë, ndërkohë që planifikimi për shpërndarjen e 10 mijë kartave nuk përputhet me numrin real të studentëve të regjistruar. Në Bashkinë Shkodër, pavarësisht firmosjes së marrëveshjes në vitin 2024, karta nuk është ende funksionale, ndërsa në Vlorë ajo mbetet vetëm në letër për shkak të mungesës së koordinimit institucional.

Refuzimi i disa bashkive për të vënë në dispozicion informacion publik për zbatimin e kësaj politike shton shqetësimet për mungesë transparence dhe llogaridhënieje.

Në letër, Karta e Studentit ofron 638 shërbime private në kategori të ndryshme. Në praktikë, këto shërbime dominohen nga oferta konsumatore si kafe, restorante, agjenci udhëtimi dhe palestra, ndërsa shërbime jetike si mensat universitare përfaqësohen vetëm nga dy shërbime, një shifër simbolike.

Edhe në sektorë të rëndësishëm si shërbimet shëndetësore dhe farmacitë, mungon informacioni mbi nivelin real të përfitimit. Uljet e ofruara variojnë kryesisht nga 2% deri në 5%, duke e bërë ndikimin ekonomik të kartës pothuajse të papërfillshëm. Në praktikë, karta përdoret kryesisht për përfitimin e abonesë falas të transportit urban, duke e reduktuar funksionalitetin e saj në një përdorim të vetëm.

Rekomandohet rishikimi i paketës bazë të shërbimeve, përfshirë në mënyrë prioritare mensat universitare, supermarketet, libraritë, kancelaritë, farmacitë dhe shërbimet bazë teknologjike. Po ashtu, sugjerohet rritja e nivelit të uljeve në shërbimet private në masën 15–30%, si dhe ngritja e një mekanizmi të rregullt monitorimi dhe raportimi për të garantuar ndikim real në jetën e studentëve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033