Gonxhja prezanton vizionin 2026: turizëm përtej buxhetit dhe ofertë gjithëvjetore

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, prezantoi vizionin për vitin 2026 dhe ekosistemin e ri të bashkëpunimit mes turizmit, kulturës dhe sportit, duke theksuar se fokusi kryesor do të jetë tejkalimi i kufijve buxhetorë përmes gjetjes së burimeve alternative financiare.

Sipas ministrit, objektivi është maksimizimi i vlerës së investimeve dhe shumëfishimi i mbështetjes për institucionet, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e infrastrukturës, përfshirë objektet historike, itineraret dhe muzetë, të cilat tashmë kanë hyrë në një fazë aktive zhvillimi.

Gonxhja bëri të ditur se sektori i turizmit ka shënuar një rritje prej 6.6 për qind, ndërsa viti 2025 u mbyll me 12.2 milionë vizitorë. Ai theksoi se menaxhimi i flukseve dhe rritja e cilësisë së shërbimeve janë elementë thelbësorë për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

Ministri nënvizoi se ka nisur puna për digjitalizimin e shërbimeve turistike, rritjen e hapësirave të plazheve publike dhe përmirësimin e menaxhimit të stacioneve bregdetare. Sipas tij, këtë vit është futur edhe modeli i vetëmenaxhimit krahas atij nga subjektet private, bazuar në vlerësimet e bashkive përkatëse.

Në fokus mbeten reduktimi i beach bar-eve, ulja e ndotjes mjedisore dhe akustike, si dhe zgjerimi i hapësirave për sport dhe lojëra. Paralelisht, po punohet për rritjen e kontrollit mbi qiratë afatshkurtra, forcimin e certifikimit dhe eliminimin e evazionit.

Ndërkombëtarizimi i ofertës turistike, pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare, rritja e cilësisë së shërbimit përmes trajnimeve dhe certifikimeve, si dhe zhvillimi i turizmit gjithëvjetor përmes eventeve, janë ndër prioritetet kryesore të strategjisë për vitet në vijim. Gonxhja theksoi rëndësinë e turizmit malor, ekologjik, gastronomik dhe kulturor.

Në nivel institucional, pritet një riorganizim, ndërsa janë planifikuar investime të reja në infrastrukturën kulturore. Ministri njoftoi se gjatë këtij viti do të hapen atraksione të reja në art dhe kulturë, duke ruajtur njëkohësisht fokusin te përmirësimi i atyre ekzistuese dhe zgjerimi i koleksioneve.

Gonxhja deklaroi gjithashtu se e drejta e autorit do të ketë vëmendje të veçantë, me synimin për forcimin e saj ligjor, ndërsa parashikohen ndërhyrje në ligjin e sponsorizimit. Mbështetja për organizatat rinore do të vijojë, ndërkohë që fondet për sportin janë rritur me 32 për qind krahasuar me vitin 2025.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033