Një farmaci në qytetin e Fierit është grabitur me forcë, ndërsa autori i dyshuar është arrestuar pak kohë pas ngjarjes nga Policia e Shtetit.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Liri”, ku shtetasi Imanuel Gjini, 25 vjeç, banues në Fier, dyshohet se ka vjedhur me forcë një shumë prej 126 mijë lekësh nga farmacia. Pas kallëzimit të bërë nga punonjësja e farmacisë, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë nisur menjëherë veprimet hetimore, duke çuar në identifikimin dhe arrestimin e autorit.
Sipas policisë, gjatë kontrollit u sekuestrua një pjesë e shumës së vjedhur, si edhe veshjet që autori kishte përdorur në momentin e grabitjes, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme lidhur me veprën penale “Vjedhja”.