Maduro pritet sot në gjykatë në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet në seancë emergjente

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, pritet të paraqitet sot përpara një gjykate federale në Nju Jork, ku do të përballet me akuza që lidhen me trafik droge dhe armësh.

Pamje të publikuara më herët treguan Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, gjatë transferimit drejt godinës së gjykatës, të shoqëruar nga forca të armatosura dhe nën masa të rrepta sigurie. Të dy ndodhen në paraburgim pas operacionit të forcave speciale amerikane, të zhvilluar të shtunën në Karakas, nga ku u transportuan drejt Shteteve të Bashkuara.

Sipas informacioneve, një numër i madh personash janë mbledhur jashtë gjykatës në Manhattan, ndërsa pritet momenti kur Maduro dhe Flores do të hyjnë në sallë për të dhënë deklarimet e tyre para trupit gjykues.

Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka zhvilluar një mbledhje emergjente lidhur me ndërhyrjen amerikane në Venezuelë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka shprehur shqetësim se në këtë rast “mund të mos jenë respektuar rregullat e së drejtës ndërkombëtare”.

Në Venezuelë, autoritetet kanë njoftuar se Delcy Rodríguez pritet të betohet si udhëheqëse e re e vendit përpara Asamblesë Kombëtare, mes një situate të tensionuar politike dhe diplomatike.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033