Tragjedia në Crans-Montana: identifikohen të gjithë viktimat, shumica adoleshentë

Autoritetet në Zvicër kanë identifikuar të gjithë 40 personat që humbën jetën në zjarrin shkatërrues në lokalin “Le Constellation” në Crans-Montana, në natën e Vitit të Ri, një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit në vend.

Viktimat janë të moshës 14 deri në 39 vjeç, me 15 prej tyre nën moshën 18 vjeç. Viktimat më të reja janë dy adoleshentë 14-vjeçarë, një vajzë zvicerane dhe një djalë francez.

Mes të ndjerëve ka shtetas të disa vendeve, përfshirë Zvicrën, Italinë, Rumaninë, Turqinë, Portugalinë, Francën dhe Belgjikën, si edhe një shtetas nga Mbretëria e Bashkuar, një nga Franca dhe një nga Izraeli.

Nga zjarri mbetën të plagosur edhe 119 persona, shumica me djegie të rënda. Gjashtë prej tyre nuk janë identifikuar ende për shkak të gjendjes kritike shëndetësore.

Në nderim të viktimave, autoritetet kanë shpallur 9 janarin ditë zie kombëtare në Zvicër.

Hetimet penale janë përqendruar te administruesit e lokalit, një çift francez, të cilët dyshohen për vepra penale të kryera nga pakujdesia. Prokuroria po heton nëse materialet e përdorura në tavanin e lokalit, përfshirë shkumën akustike, kanë kontribuar në përhapjen e shpejtë të flakëve dhe nëse ambienti përmbushte standardet e sigurisë.

Hetimet paraprake sugjerojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga fishekzjarrë të përdorur gjatë festës, të mbajtur pranë tavanit, çka dyshohet se ka shkaktuar ndezjen e menjëhershme të materialeve të brendshme.

Autoritetet kanë theksuar se nuk do të publikojnë më tej emra apo detaje personale, duke respektuar privatësinë dhe dhimbjen e familjarëve të viktimave.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033