Në Gjykatën e Shkodrës mbahet sot seanca për katër personat e arrestuar lidhur me shpërthimin me tritol që i mori jetën 67-vjeçarit Hysni Ymeri, në një nga ngjarjet më të rënda kriminale të ditëve të fundit.
Të dyshuarit, Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi, janë paraqitur në gjykatë për shqyrtimin e masave të sigurisë.
Shpërthimi ndodhi paraditen e 29 dhjetorit në lagjen “Manush Alimani”. Hetimet përjashtuan shpejt pistën e një defekti teknik, duke konfirmuar se lënda plasëse ishte vendosur në mënyrë të qëllimshme në panelin elektrik të pallatit ku banonte viktima.
Sipas Policisë, katër të arrestuarit dyshohet se kanë bashkëpunuar për vendosjen dhe aktivizimin e tritolit, kundrejt pagesës. Nga të dhënat hetimore, Gerti Bushati dyshohet se ka përfituar 1 500 euro për vendosjen e lëndës plasëse dhe është dokumentuar nga kamerat e sigurisë duke lëvizur në zonë para ngjarjes.
Gjatë operacioneve policore janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme provash materiale, përfshirë 28 telefona celularë, një automjet “Mercedes-Benz”, veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprës, municion, para në lekë dhe euro, lëndë narkotike, një sasi kokaine, pajisje GPS gjurmimi, kamera sigurie dhe një laptop.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet janë ende në vijim, ndërsa sot pritet që gjykata të vendosë për masat e sigurisë ndaj katër të dyshuarve.