Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Sarandë, ku një grua 85 vjeçe ka humbur jetën pasi ka rënë nga ballkoni i katit të tretë të një pallati në lagjen nr. 3 të qytetit.
Ngjarja është shënuar rreth orës 19:30. E moshuara, e identifikuar si Selfije Demani, është dërguar me urgjencë në spitalin e Sarandës në gjendje të rëndë shëndetësore. Mjekët konstatuan fraktura të shumta, dëmtime serioze në gjunjë, në legen dhe në mushkëri, duke vendosur ta fusin menjëherë në sallën e operacionit.
Megjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 85-vjeçarja nuk arriti t’i mbijetojë dëmtimeve dhe ndërroi jetë gjatë ndërhyrjes kirurgjikale.
Sipas informacioneve paraprake, në momentin e rënies ajo ndodhej vetëm në banesë, kishte probleme me shikimin dhe lëvizte me ndihmën e patericave. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se dyshohet se e moshuara mund të ketë pasur edhe probleme të shëndetit mendor.
Policia po vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, duke shqyrtuar si pistë vdekjen aksidentale, ashtu edhe atë të vetëvrasjes.