Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë njoftuar se kanë kryer rreth 50 sulme ajrore në jug të Libani gjatë 24 orëve të fundit, pavarësisht armëpushimit në fuqi.
Në një postim në platformën X, ushtria izraelite deklaroi se objektiv i goditjeve kanë qenë pozicionet dhe infrastruktura e Hezbollahut në disa zona të jugut të vendit.
Sipas IDF, gjatë kësaj periudhe Hezbollahu ka lëshuar gjithashtu një numër raketash drejt forcave izraelite që operojnë në territorin jugor të Libanit, por ato kanë rënë në “zona të hapura”, pa shkaktuar pasoja të raportuara.
Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit ka raportuar se të paktën shtatë persona janë vrarë nga sulmet izraelite në zonën e Nabatieh.
Përshkallëzimi i fundit i situatës vjen në një kohë kur armëpushimi mbetet i brishtë, duke rritur shqetësimet për rikthimin e luftimeve të gjera në rajon.