Zjarri në fshatin Rriban të Mallakastrës është përhapur ndjeshëm gjatë natës, duke marrë përmasa dhe shtrirje të madhe. Aktualisht, flakët paraqesin rrezik të shtuar për t’u përhapur drejt masivit pyjor të fshatit Lofkënd.
Në terren janë përqendruar forcat e ndërhyrjes në dy drejtime, në Rriban dhe Lofkënd, me qëllim frenimin e avancimit të flakëve.
Në operacion janë angazhuar:
- 5 mjete zjarrfikëse nga Mallakastra, Fieri, Roskoveci, Berati dhe Kuçova;
- 30 efektivë të shërbimit zjarrfikës;
- 35 punonjës të forcave bashkiake;
- 2 autobote me ujë;
- si dhe pritet t’u bashkohen edhe 35–40 trupa të Forcave të Armatosura.
Sipas autoriteteve, terreni i vështirë, bimësia e dendur, shtrirja e madhe e vatrës dhe intensiteti i flakëve e bëjnë tepër të vështirë ndërhyrjen vetëm me forcat tokësore.
Për këtë arsye, vlerësohet si e domosdoshme ndërhyrja nga ajri për izolimin dhe vënien nën kontroll të vatrës së zjarrit.