Flakët përfshijnë zona të gjera me ullinj dhe agrume në dalje të Karbunarës, digjen edhe magazina të vogla familjare
Një zjarr i madh përfshiu pasditen e sotme periferinë e Karbunarës, përgjatë aksit nacional Lushnjë–Berat, duke djegur dhjetëra dynymë me agrume dhe ullishte. Flakët kanë përfshirë edhe disa magazina që i përkisnin familjeve fermere të zonës.
Sipas njoftimeve zyrtare, zjarri është favorizuar nga era e fortë, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e zjarrfikësve. Aktualisht, forcat zjarrfikëse ndodhen ende në terren, duke punuar për të vënë plotësisht nën kontroll vatrat e mbetura.
Disa burime në vendngjarje kanë bërë të ditur se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar aksidentalisht. Megjithatë, nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë neglizhence nga aktivitetet bujqësore apo djegiet për pastrim të tokës.
Zjarri për pak sa nuk ka përfshirë edhe serrat dhe vreshtat përreth, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur izolimin e flakëve në zonën më të ekspozuar. Dëmet materiale në këtë fazë janë të konsiderueshme.
Dy automjete zjarrfikëse të Lushnjës vijojnë të jenë në zonë, pasi ende ka vatra aktive që përbëjnë rrezik për përhapje nëse era forcohet sërish. Banorët e zonës kanë ndihmuar në përpjekjet për shuarjen, duke u angazhuar për të mbrojtur pronat dhe fermat e tyre.
Ky është rasti i tretë brenda muajit që një zonë bujqësore në rrethin e Lushnjës përfshihet nga zjarri, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe mungesën e masave parandaluese në periudhën e verës.
Autoritetet kanë bërë apel që qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve pranë sipërfaqeve të mbjella dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente në rast të situatave të ngjashme.