Në sheshin e Shtëpisë së Kongresit në Lushnjë, këtë të shtunë u zhvillua spektakli madhështor “Miss Lushnja 2026”, edicioni i 6-të, një mbrëmje që kaloi çdo parashikim për nga organizimi, eleganca dhe pjesëmarrja e publikut.
Nën drejtimin e çiftit Manahasa Luan dhe Valbona Manahasa, me kujdesin e Bashkisë së Lushnjës dhe mbështetjen e disa kompanive private, eventi solli në skenë 15 bukuroshe lushnjare që parakaluan mbi tapetin e kuq mes sharmin dhe bukurisë që karakterizon vajzën lushnjare.
Mbrëmja u moderua nga Hygerta Sako, ndërsa atmosfera artistike u ndez nga performancat e këngëtarëve si Kastriot Tusha, Dario Zela, Keant Çollaku, Andrea Nasto dhe Future Steps Academy. Nën dritat vezulluese të Shtëpisë së Kongresit, spektakli u detajua deri në perfeksion, ku vajzat sfiluan me veshje sportive, veshje të bardha nga Xhelardina Sposa, si dhe me bikini, duke i dhënë skenës elegancë dhe një bukuri të veçantë verore.
Në këtë mbrëmje glamuroze nuk munguan as figura të njohura publike, mes tyre edhe futbollisti lushnjar Rei Manaj. Juria profesionale, e kryesuar nga Filip Çakulli, vlerësoi konkurrentet dhe ndau çmime të ndryshme për vajzat pjesëmarrëse.
Në fund të spektaklit, juria kurorëzoi si “Miss Lushnja 2026” konkurrenten me numrin 16, Ajla Amoniku, e cila mes emocionesh mori fashon dhe kurorën e bukurisë. Pas shpalljes fituese, Ajla Amoniku u shpreh me emocion për mikrofonin e TV Apollon, duke falënderuar publikun, organizatorët dhe jurinë për vlerësimin në këtë natë të paharrueshme.