Fermeri Armend Cjapi nga fshati Allkaj, njësia administrative Allkaj në Lushnjë, prej rreth 20 vitesh është kthyer nga emigracioni dhe merret me bujqësi në sera diellore. Ai kultivon domate, speca të dy llojeve dhe sallator në një sipërfaqe prej 1.8 hektarësh sera .
Sipas fermerit, ai herë ka qenë pjesë e skemave mbështetëse dhe herë jo, ndërsa shqetësimi kryesor mbetet çmimi i ulët i prodhimeve bujqësore. Domatja aktualisht grumbullohet nga pikat e shumicës me 30-40 lekë të reja për kilogram, ndërsa speci i dy llojeve me 70-90 lekë të reja për kilogram.
Një tjetër problem për fermerin janë çmimet e larta të pesticideve dhe plehrave ushqyese për bimët, të cilat sipas tij rriten vazhdimisht, pa përfshirë kostot e krahut të punës dhe mungesën e punëtorëve për proceset nga plugimi, mbjellja, spërkatja deri te vjelja e prodhimit.
Në prononcimin për mediat, Armend Cjapi kërkon më shumë mbështetje nga institucionet shtetërore për bujqësinë, duke e konsideruar tokën dhe prodhimin bujqësor si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit.