Arkeologët në Izrael kanë bërë një zbulim të jashtëzakonshëm, duke gjetur prova të mundshme të një beteje të lashtë biblike. Gjetjet u realizuan gjatë një gërmimi në qytetin e lashtë të Megidos, në veri të Izraelit, një vend historik që përmendet si Harmagedon në Dhiatën e Re. Artefaktet e zbuluara, kryesisht fragmente të qeramikës egjiptiane, përbëjnë një dëshmi të mundshme të ngjarjeve biblike që lidhen me Betejën e Megidos, një ngjarje që ndodhi në vitin 609 para Krishtit.
Megido ka qenë një vend kyç në historinë biblike dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në ngjarjet e Dhiatës së Vjetër. Në këtë qytet, mbreti Josia i Judës u përball me ushtrinë egjiptiane të udhëhequr nga faraoni Necho II, në një betejë tragjike që përfundoi me vdekjen e tij. Zbulimet e fundit në Megido mund të hedhin dritë mbi atë periudhë të historisë, duke sjellë prova materiale të mundshme për këtë ngjarje biblike.
Dr. Assaf Kleiman, një ekspert i arkeologjisë në Universitetin Ben-Gurion, është i mendimit se fragmentet e qeramikës i përkasin ushtrisë egjiptiane që mundi mbretin Josia. Sipas tij, këto artefakte nuk mund të jenë thjesht objekte tregtare, por mund të kenë ardhur në qytet si pjesë e një ekspedite ushtarake egjiptiane. “Gjetjet e tilla janë shumë të pazakonta dhe sugjerojnë se ushtria egjiptiane mund të ketë lënë pas këtë material gjatë ose pas betejës”, tha Kleiman.
Në mesin e gjetjeve ka fragmente të enëve të ndryshme, duke përfshirë tasave dhe tenxhere gatimi, që janë karakteristike për periudhën egjiptiane. Eksperti thekson se këto artefakte nuk janë të ngjashme me ato të gjetura në vendbanimet përreth, duke shtuar besimin e tij se ato mund të jenë sjellë nga ushtarët egjiptianë, jo përmes tregtisë.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e zbulimit është pranisë e qeramikës greke, që mund të jetë një tregues i përdorimit të mercenarëve grekë në ushtrinë egjiptiane. Kjo mund të lidhë ngjarjen e betejës me disa burime të lashta greke që përmendin shërbimin e grekëve në ushtrinë egjiptiane të dinastisë së 26-të, një fakt që mund të ketë lidhje me vrasjen e Josias, siç sugjerojnë disa profeci biblike.
Megido, i njohur gjithashtu si Harmagedon, është vendi ku besohet se do të zhvillohet beteja e fundit mes forcave të mirë dhe të keqes, sipas profecive biblike. Sidoqoftë, arkeologët nuk mund të provojnë me siguri se Beteja e Harmagedonit ka ndodhur atje, por gjetjet e fundit janë një dëshmi e mundshme e lidhjeve të ngushta mes historisë dhe narrativës biblike.
Në përfundim, kërkimet për të zbuluar më shumë rreth kësaj periudhe të lashtë do të vazhdojnë. Arkeologët shpresojnë se zbulimet e ardhshme mund të hedhë më shumë dritë mbi ngjarjet e historisë biblike dhe mbi vendndodhjen e popujve të lashtë që jetonin në këtë pjesë të rëndësishme të botës antike.