Vijon pastrimi i kanaleve vaditëse e kulluese në Bashkinë Lushnjë.
Puna për mirëmbajtjen e rrjetit të kanaleve vaditëse dhe kulluese në Bashkinë Lushnjë vijon me ritme të larta. Katër mjete eskavator të Drejtorisë së Pasurisë Publike janë angazhuar prej disa muajsh në terren, duke ndërhyrë në zonat bujqësore të Myzeqesë për pastrimin e kanaleve që shërbejnë si për kullimin në dimër, ashtu edhe për vaditjen gjatë sezonit të verës.
Aktualisht, puna është përqendruar në kanalin kullues që nis nga fshati Kashbardhë drejtë fshatit Qerretë, me një gjatësi prej rreth 2 mijë metrash linearë. Ky kanal konsiderohet jetik për fermerët e zonës, pasi siguron largimin e ujërave gjatë stinës së dimrit dhe furnizimin me ujë për vaditje gjatë verës.
Për rëndësinë e këtyre ndërhyrjeve dhe planin e punës në terren flet përgjegjësi i Sektorit të Ujitjes dhe Kullimit pranë Bashkisë Lushnjë, Renis Muço.
Ndërkohë, puna vijon edhe në fshatin Imësh, ku po pastrohet një kanal vaditës me gjatësi rreth 3 mijë metra linearë. Ky kanal shërben për ujitjen e tokave bujqësore të fshatrave Imësh, Gjonas, Bubullimë dhe Halilaj, zona të njohura për prodhimin bujqësor.
Sipas Bashkisë Lushnjë, ndërhyrjet do të vazhdojnë gjatë gjithë sezonit veror në çdo sektor të rrjetit vaditës dhe kullues, me synimin për të garantuar furnizimin me ujë të parcelave bujqësore në një periudhë kur temperaturat e larta e bëjnë vaditjen të domosdoshme.
Fermerët e zonës e vlerësojnë këtë investim si një ndihmë të rëndësishme për mbarëvajtjen e punëve në bujqësi. Banori i fshatit Imësh, Caci Mitri, falënderon Bashkinë Lushnjë dhe Sektorin e Ujitjes dhe Kullimit për punën e kryer.