Në një ceremoni madhështore të mbajtur në Mexiko City, Victoria Kjær Theilvig nga Danimarka është shpallur fituese e edicionit të 73-të të garës Miss Universe.
Victoria, një mbrojtëse e të drejtave të kafshëve dhe punonjëse në industrinë e shitjes së diamanteve, arriti të mundë Miss Nigerinë dhe të rrëmbejë kurorën e prestigjiozës “Miss Universe”. Vendin e tretë e zuri Miss Meksika.
Ky është edicioni i parë i Miss Universe që një konkurente nga Danimarka fiton titullin. Ceremonia e shpalljes së fitueses u mbajt në arenën e Mexiko City, një vend indoor me kapacitet për 20,000 persona, ku mbështetësit nga e gjithë bota duartrokitën dhe valëvitën flamujt e shteteve të tyre.
Evenimenti filloi me një performancë të jashtëzakonshme nga 131 muzikantë mariachi dhe këngëtarin Taboo nga Black Eyed Peas, i cili këndoi “Mexicana”, një këngë e krijuar nga Emilio Estefan posaçërisht për këtë ngjarje. Gala u moderua nga Mario López, Olivia Culpo (Miss Universe 2012), Zuri Hall dhe Catriona Gray (Miss Universe 2018), ndërsa atmosfera e ngrohtë dhe entuziaste mbushte të gjithë ambientin.
Këtë vit, gara e Miss Universe ka shënuar një tjetër rekord, pasi pati pjesëmarrjen e mbi 120 konkurentëve nga e gjithë bota. Për herë të parë, shtete si Bjellorusia, Eritrea, Guinea, Macao, Maldivet, Moldavia dhe Uzbekistan ishin të pranishme në këtë kompeticion prestigjioz. Ky ishte edicioni i tretë që Meksika ka mikpritur Miss Universe, një ngjarje që tashmë është kthyer në një traditë të dashur për vendin.
Fitorja e Victoria Kjær Theilvig, një simbol i bukurisë, angazhimit dhe pasionit për kauza humanitare, do të mbetet e paharruar për shumë vite, duke frymëzuar të rinjtë dhe të rejat e mbarë botës që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të angazhohen për kauza të rëndësishme.