Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale nga burgu, duke iu përgjigjur akuzave të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Ai ka theksuar se akuzat që e kanë çuar pas hekurave janë të pabaza dhe kanë si bazë provat që ai i quan të paqëndrueshme. Veliaj filloi reagimin e tij duke u shprehur: “Uroj të jeni mirë! Unë për vete po lexoj romanin e gjatë të Ols Violinës, se siç e dini, jam i burgosur, por jo i pandehur.”
Një nga detajet kryesore të akuzave të SPAK ishte përdorimi i sinjaleve telefonike që lidhen me zonën e Kavajës, Golemit dhe Rrogozhinës, duke sugjeruar se Veliaj mund të ishte pronar i një shtëpie në këto zona. Sipas kryebashkiakut, ai ka qenë i pranishëm në këto vende për shkak të angazhimeve të tij politike gjatë fushatave zgjedhore të Partisë Socialiste.
Veliaj i ka quajtur këto prova si “të leshit të humbur”, duke ironizuar mbi punën e prokurorit të çështjes, Ols Dado. Ai e ka akuzuar atë për paaftësi dhe për përdorim të provave të paqëndrueshme për ta mbyllur atë në burg. “Mjafton të shihni këtë foto-album nga fushata, për të kuptuar se me çfarë provash të leshit të humbur të kokës së tij më ka mbyllur në burg ky muzikant i dështuar,” shkroi Veliaj.
Për më tepër, Veliaj theksoi se gjatë vitit 2023 ka drejtuar fushatën e Partisë Socialiste në Rrogozhinë dhe Kavajë si Drejtues Politik i Qarkut të Tiranës, dhe kjo është arsyeja pse telefoni i tij ka lëshuar sinjale në këto zona. Ai shtoi gjithashtu se kishte vizituar Këshillën Katolike në Rrugën e Kavajës për të inspektuar punimet, por kjo gjithashtu ka qenë një provë që është përdorur për ta akuzuar.
Kryebashkiaku ka kërkuar që të bëhet një hetim i thellë mbi këtë çështje dhe ka akuzuar prokurorin për konflikt interesi dhe korrupsion. Veliaj ka përfunduar postimin duke përshëndetur stafin e Bashkisë së Tiranës dhe duke shprehur falenderime dhe dashuri për ata që e mbështesin.
Kjo është hera e dytë që Veliaj reagojnë nga burgu, duke përdorur rrjetet sociale për të mbrojtur veten nga akuzat që konsideron të pasakta dhe të montuara.