Vdes Boris Spassky, legjenda e shahut, në moshën 88 vjeçare

Boris Spassky, kampioni sovjetik i shahut dhe një nga emrat më të njohur në historinë e këtij sporti, ka ndërruar jetë në moshën 88 vjeçare.

Lajmi u dha sot nga Federata Ruse e Shahut, duke e konsideruar humbjen e tij si një goditje të madhe për botën e shahut. Andrei Filatov, presidenti i Federatës, e quajti këtë humbje një tragjedi për shahun rus dhe për brezat e shahistëve që vazhdojnë të studiojnë dhe të mësojnë nga puna e tij.

Spassky lindi në vitin 1937 në Leningrad (sot Shën Petersburg), në një periudhë të rëndë të Luftës së Dytë Botërore. Ai kishte një fillim të vështirë të jetës, pasi ka kaluar një periudhë të vështirë në një jetimore pas bombardimeve të qytetit të tij dhe rrethimit të tmerrshëm nga trupat naziste. Megjithatë, ai ishte një fëmijë i jashtëzakonshëm dhe filloi të luante shah që në moshën pesëvjeçare.

Talenti i tij u evidentua shpejt dhe ai fitoi titullin kampion bote për të rinjtë në moshën 18-vjeçare, një arritje që e hodhi në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Stili i tij agresiv dhe pa frikë, që shpesh kërkonte sakrifica të mëdha, e bëri atë një lojtar të dalluar. Shumë shpejt, ai tërhoqi vëmendjen e shtetit sovjetik, i cili i ofroi mundësi për trajnim dhe zhvillim.

Megjithatë, për një periudhë, Spassky nuk arriti të merrte vëmendjen e duhur pasi ishte në hije të shokut të tij të famshëm, Mihail Tal, një tjetër gjeni i shahut. Por ai bëri një rikthim të jashtëzakonshëm në vitin 1961 kur fitoi kampionatin e BRSS dhe në vitin 1969, pas një periudhe dominimi të shahistëve të tjerë, ai mundi Tigran Petrossian për të fituar titullin kampion bote.

Dueli i tij legjendar me Bobby Fischer në vitin 1972, gjatë Luftës së Ftohtë, mbeti një nga ngjarjet më të paharruara në historinë e shahut. Ky duel nuk ishte vetëm një betejë intelektuale mes dy gjeniu, por gjithashtu një simbol i tensioneve politike të kohës. Spassky humbi titullin pas një përplasjeje të tensionuar, por fama e tij e lidhi gjithmonë me këtë ngjarje të madhe.

“Unë kurrë nuk i vura vetes synimin për t’u bërë kampion bote. Gjithçka funksionoi vetë. Unë po përparoja me hapa të mëdhenj,” ka shpjeguar Spassky në vitin 2016, duke reflektuar mbi rrugën e tij të jashtëzakonshme drejt suksesit. Pavarësisht sfidave, ai arriti të ketë një ndikim të thellë në botën e shahut, duke e lënë pas një trashëgimi të pashlyeshme.

Boris Spassky do të mbahet mend si një nga më të mëdhenjtë e shahut, dhe kontributi i tij për zhvillimin e këtij sporti do të vazhdojë të shijohet dhe studiohet nga brezat që vijnë.

Ndaj Postimin: