Vallja e PD-së për Berishën: Analistët kritikojnë krijimin e kultit të individit

Bilanci politik i vitit 2024 ishte temë diskutimi në një emision televiziv , ku analistët Almer Toska, Anri Bala dhe Ergys Mërtiri analizuan një skenë që ka ndezur polemika: kërcimin e deputetëve të PD-së me një këngë kushtuar Sali Berishës.

Sipas analistëve, ky episod pasqyron jo vetëm dinamikat e brendshme të opozitës, por edhe një varësi të theksuar nga figura e Berishës.

Almer Toska e interpretoi kërcimin si shprehje entuziazmi, por me një notë të qartë të instrumentalizimit të emrit të Berishës. “Shoh një entuziazëm të veçantë tek deputetët, por disa prej tyre përdorin emrin e tij për të kërcyer dhe për të ruajtur pozitat e tyre politike. Ka deputetë që janë aty falë marrëveshjeve apo listave të sigurta të Bashës, ndërsa të tjerë nuk pritet të jenë më pjesë e parlamentit,” tha Toska.

Nga ana tjetër, Ergys Mërtiri e pa këtë skenë si një moment tragjik dhe komik njëkohësisht. “Kjo është skalitje e kultit të individit, një individi që është në vdekje politike dhe që ende refuzon të largohet, megjithëse ka qenë protagonist i këtyre 34 viteve të trazuara politike. Kërcejnë vallen nga belaja, shkelin dinjitetin për t’u servilosur deri në fund,” u shpreh ai.

Anri Bala theksoi se shumica e deputetëve që kërcyen janë produkt i listave të sigurta të Lulzim Bashës nga zgjedhjet e 2021. Ai kritikoi mungesën e reflektimit nga opozita, duke e quajtur këtë episod një manifestim të sharlatanizmit politik. “Kemi parë Berishën të uzurpojë PD-në, ndërsa deputetët festojnë, duke harruar misionin e tyre si përfaqësues të qytetarëve dhe nevojën për rotacion politik,” theksoi Bala.

Në lidhje me largimin përfundimtar të Berishës nga politika, Toska sugjeroi se kjo duhet të mbetet në dorën e qytetarëve. “Largimi i Berishës duhet të vendoset nga votuesit. Pyetja është: a është i gatshëm ai të rikthehet në pushtet?” argumentoi Toska.

Diskutimet nxorën në pah ndarjet e brendshme në PD dhe mungesën e një qasjeje të qartë për të ardhmen. Pavarësisht debatit publik, figura e Sali Berishës mbetet një pikë ndasie dhe tensioni, duke ndikuar jo vetëm në unitetin e opozitës, por edhe në perceptimin e saj si një alternativë serioze ndaj mazhorancës aktuale.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera