Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të fillojë vizitën e saj në Tiranë të mërkurën e ardhshme, duke nisur kështu turin në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas axhendës, më 23 tetor ajo do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe do të marrë pjesë në përurimin e Kampusit të Kolegjit Europian në Tiranë.
Qëllimi i këtij turi është të shprehë angazhimin e plotë të Bashkimit Europian për të afruar rajonin drejt anëtarësimit në BE. Sigurisht që Shqipëria shpreson shumë nga ky tur për të përmirësuar pozicionin e saj politiko-ekonomik si një vend mes të barabartëve në rajon dhe Evropë.
Politika jonë e ka pritur për shumë vite kërë moment politik fantastik dhe kërkon që të marrë më të mirën prej tij. Sigurisht që ka aspekte që mund të përmirësohen por kjo vizitë pas hapjes së negociatave me 15 Tetor merr një rëndësi tjetër.
Vendi ynë ka nevojë për më shumë vëmëndje në këtë moment delikat tranzicioni për të ardhmen. Shqipëria vazhdon të shpresojë për një proces të përshpejtuar për të mos përsëritur rastin e dështuar të Turqisë, apo edhe negociatat e stërgjatura kroate.
Por vetëm pas takimit mund të flasim për përfundime dhe mund të nxjerrim konkluzione të mëtejshme.
Pas Tiranës, Von der Leyen do të vizitojë edhe Prishtinën më 26 tetor, ku do të takojë Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani.
Një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një hap i rëndësishëm për afrimin e të dyja vendeve me Bashkimin Europian. Ky diskutim do të zhvillohet edhe gjatë takimit me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, më 25 tetor në Beograd.
Gjatë këtij turi, Von der Leyen do të vizitojë gjithashtu Shkupin, Podgoricën dhe Sarajevën. Pak ditë pas përfundimit të tij, Komisioni Europian do të miratojë paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet që janë pjesë e këtij procesi. BE ka akorduar 6 miliardë euro ndihmë financiare për të ndihmuar rajonin të përmirësojë kushtet e jetesës dhe të afrohet me standardet e unionit.