Zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, në një deklaratë për mediat, theksoi shqetësimin se trafikimi i 20 mijë tonëve lëndë të rrezikshme nga Shqipëria drejt Azisë përfshin edhe autoritetet shtetërore.
Ajo shpjegoi se, megjithëse Kryeministri Edi Rama ka mohuar përfshirjen e Shqipërisë në këtë linjë ndërkombëtare të trafikut të mbetjeve të rrezikshme, një emision investigativ, “Plug” në Syri Televizion, publikoi dokumente që tregojnë të kundërtën. Dokumentet lidhen me skandalin e transportit të mbetjeve të rrezikshme nga vendi ynë drejt Tajlandës dhe Kinës.
Pas denoncimit të bërë nga Rrjeti i Bazelit, u zbulua se nga Shqipëria ishin dërguar kontenierë me 816 tonë mbetje të rrezikshme drejt Tajlandës, duke ngritur pikëpyetje mbi origjinën dhe sasinë e këtyre mbetjeve.
Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka vënë në dispozicion dokumentet përkatëse dhe ka informuar Kryeministrin, por sipas Vangjelit, kjo situatë është mbajtur e fshehtë nga publiku për të mbrojtur trafikimin e mbetjeve të rrezikshme.
Dy javë pas publikimit të skandalit, Ministrja Kumbaro urdhëroi kontrolle mbi subjektet që gjenerojnë mbetje industriale. Një nga këto subjekte, kompania “Sokolaj,” rezultoi të ketë eksportuar jo vetëm 816 tonët, por plot 20 mijë ton lëndë të rrezikshme nga Porti i Durrësit, pa një destinacion të qartë dhe me origjinë të panjohur.
Ministria e Mjedisit konfirmoi se kompania “Kurum,” nga e cila “Sokolaj” pretendon se ka marrë mbetjet, nuk ka pasur kontratë aktive për transferimin e mbetjeve të rrezikshme dhe për këtë arsye është gjobitur dhe i është pezulluar aktiviteti. Kjo zbulon se jo vetëm 816 tonët, por edhe 20 mijë tonët e eksportuara nga “Sokolaj” nuk mund të kenë ardhur nga “Kurum.”
Nga ana tjetër, kompania “Kurum” deklaroi se mbetjet e rrezikshme nuk i përkasin asaj. Ekspertët mjedisorë theksojnë se Shqipëria nuk ka kapacitet për të prodhuar një sasi kaq të madhe mbetjesh të rrezikshme, dhe të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit konfirmojnë këtë fakt.
Dokumentet zyrtare tregojnë se autoritetet përgjegjëse, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti Portual Durrës, do të duhej të kishin parandaluar këtë situatë. Fatkeqësisht, trafiku i mbetjeve të rrezikshme duket se është një problem i vazhdueshëm për Shqipërinë, dhe sipas një studimi të bërë në bashkëpunim me GIZ-in gjerman, disa zona në vend janë ndotur rëndë nga këto mbetje, duke përbërë një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve.