Udhëzimi i ri: Asgjësimi i mbetjeve të kanabisit mjekësor përmes incenerimit dhe metodave të tjera

Në kuadër të përgatitjes për nisjen e procedurave të aplikimit për licencat e operatorëve që do të lejohen të kultivojnë dhe përpunojnë kanabisin për qëllime mjekësore në Shqipëri, ka hyrë në fuqi një udhëzim i ri për asgjësimin e mbetjeve të kanabisit.

Ky udhëzim, i botuar së fundmi në Fletoren Zyrtare, ka përcaktuar metodat e mundshme për menaxhimin dhe asgjësimin e mbetjeve të kanabisit mjekësor, duke përfshirë incenerimin, trajtimin me metoda kimike dhe groposjen në landfill.

Një nga elementet më të rëndësishëm të këtij udhëzimi është përdorimi i incenerimit për asgjësimin e mbetjeve të kanabisit, një proces që do të realizohet nga operatorët e licencuar ose nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Kanabisit për bimët e konfiskuara. Sipas udhëzimit, incenerimi duhet të kryhet në përputhje me procedurat specifike të trajtimit të mbetjeve të parrezikshme, të parashikuara në ligjin për incenerimin e mbetjeve, dhe duhet të realizohet në temperatura mbi 850°C.

Përgatitja e Inceneratorëve

Përgatitja e inceneratorëve dhe menaxhimi i procesit të incenerimit janë disa nga hapat teknike që detajohen në udhëzim. Pjesë e këtij procesi janë edhe heqja e mbetjeve dhe pastrimi i impiantit pas përfundimit të incenerimit. Në rast se procesi ndërpritet për shkak të problemeve teknike, pala kontraktuese është e detyruar të marrë masa të menjëhershme për magazinimin e mbetjeve dhe të dokumentojë të gjithë procesin, duke përfshirë sasinë e mbetjeve të asgjësuara dhe ato të mbetura.

Një metodë tjetër e parashikuar në udhëzim është asgjësimi i mbetjeve përmes groposjes në landfill. Ky proces do të kryhet nga pala e kontraktuar për këtë qëllim, duke ndjekur procedurat që janë të përcaktuara në vendimin për landfillet e mbetjeve. Sipas udhëzimit, mbeturinat duhet të vendosen në fund të gropës dhe të mbulohen plotësisht me dhé për të siguruar që materialet të mos mund të rikuperohen në të ardhmen.

Për të dyja metodat, si incenerimi ashtu edhe groposja, udhëzimi kërkon që përfaqësues të institucioneve të dokumentojnë procesin me foto dhe video, duke garantuar transparencën dhe sigurinë e procedurës. Këto masa janë menduar për të shmangur çdo mundësi për manipulime dhe për të siguruar se mbetjet e kanabisit mjekësor trajtohen në përputhje me standardet e kërkuara ligjore dhe ekologjike.

Ky udhëzim i ri vjen si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga ana e institucioneve shtetërore për të rregulluar industrinë e kanabisit mjekësor në Shqipëri, duke përfshirë gjithashtu legjislacionin për licencat e kultivimit dhe përpunimit. Pas miratimit të ligjit për kontrollin e kanabisit, janë miratuar edhe akte nënligjore të tjera, si dhe udhëzimi për procedurat e pagimit të tarifës së licencës për operatorët që duan të ushtrojnë aktivitetin e kultivimit të kanabisit mjekësor.

Përveç asgjësimit të mbetjeve, ka edhe masa të tjera që lidhen me kontrollin e cilësisë së kanabisit dhe paketimin e tij, ku specifikohen kërkesat për analizimin dhe paketimin e produkteve në përputhje me normat ndërkombëtare. Pakoja e kanabisit duhet të jetë e sigurt për transportin dhe të mos përmbajë informacione të rreme që mund të çojnë në keqinformim të konsumatorëve.

Me këto rregullore të reja, Shqipëria po krijon një kuadër ligjor dhe operacional për kontrollin dhe përdorimin e kanabisit mjekësor, duke u përpjekur të sigurojë një menaxhim të sigurt dhe të përgjegjshëm të mbetjeve dhe produkteve të kësaj industrie.

Ndaj Postimin: