Një automjet është përfshirë nga flakët mesditën e sotme në aksin rrugor Korçë–Ersekë, në afërsi të Qafës së Qarrit.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti tip “Benz” ka marrë zjarr për shkaqe ende të paqarta, duke u djegur pothuajse plotësisht. Fatmirësisht, drejtuesi i automjetit ka arritur të dalë në kohë nga mjeti dhe nuk ka pësuar lëndime.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve, ndërsa shërbimet e policisë kanë nisur veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet e incidentit.
Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të ketë ardhur si pasojë e një defekti teknik, por shkaku i saktë do të përcaktohet pas ekspertizës përkatëse.