Tuneli i Llogarasë hap dyert pa pagesë për sezonin veror

Tuneli i Llogarasë hapet të shtunën për qarkullimin e automjeteve, duke ofruar udhëtim më të shpejtë drejt bregdetit dhe do të jetë pa pagesë gjatë gjithë sezonit veror deri më 15 Shtator, përveç mjeteve të tonazhit të rëndë.

Tuneli i Llogarasë do të jetë i hapur për qarkullim duke nisur nga dita e shtunë, 24 maj, një zhvillim i shumëpritur që lehtëson ndjeshëm udhëtimin drejt bregdetit të jugut, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi. Ky tunel është një nga veprat më të mëdha publike të infrastrukturës shqiptare, i cili synon të nxisë zhvillimin e turizmit dhe të përmirësojë ekonominë lokale.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në krye të së cilës ndodhet Belinda Balluku, tuneli do të jetë pa pagesë gjatë gjithë sezonit veror, deri më 15 shtator. Kalimi do të ndalohet vetëm për automjetet e tonazhit të rëndë, duke ruajtur kështu sigurinë dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës.

Me një gjatësi prej 5.9 kilometrash, Tuneli i Llogarasë është më i gjati në vend dhe konsiderohet si një ndër arritjet më të rëndësishme të dekadës së fundit. Hyrja e tunelit ndodhet në Dukat, ndërsa dalje ka në fshatin Palasë, duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit.

Më parë, për të përshkuar kthesat e Llogarasë duheshin rreth 40 minuta, ndërsa tani kjo distancë kalohet për vetëm 10 minuta. Kjo përmirësim do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e fluksit të turistëve dhe zhvillimin e mëtejshëm të zonës.

Falë hapjes së tunelit, koha e udhëtimit nga Tirana në Dhërmi tashmë do të shkurtohet ndjeshëm, duke zbritur në vetëm 1 orë e 45 minuta, një lehtësim i madh për të gjithë pushuesit dhe banorët e zonës.

Ky investim, që u provua për herë të parë gjatë sezonit të kaluar turistik dhe u mbyll për fazën finale të punimeve në vjeshtë, pritet të sjellë përfitime të shumta jo vetëm në qarkullimin rrugor por edhe në zhvillimin ekonomik dhe social të bregdetit shqiptar.

Hapja zyrtare e tunelit këtë fundjavë konsiderohet si një hap i rëndësishëm për infrastrukturën shqiptare, duke afruar më shumë bregdetin me kryeqytetin dhe duke sjellë një eksperiencë të re udhëtimi për qytetarët dhe turistët vendas e të huaj.

Ndaj Postimin: