Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar vendosjen e tarifave të reja për mallrat e importuara nga tri partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës, Kina, Meksika dhe Kanadaja.
Masat, që do të hyjnë në fuqi nga e marta, përfshijnë tarifa prej 25% për Kanada dhe Meksikë dhe një tarifë shtesë prej 10% për mallrat kineze. Pjesa e energjisë nga Kanadaja do të përballet me një tarifë më të ulët prej 10%.
Këto tarifa janë rezultat i kërcënimeve të Trump, i cili tha se do t’i impononte nëse këto shtete nuk do të trajtonin shqetësimet e tij mbi imigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës. Pas këtij njoftimi, si Meksika ashtu edhe Kanadaja kanë shprehur se po përgatisnin masa hakmarrëse. Trump, nga ana e tij, ka deklaruar se është i gatshëm të intensifikojë masat nëse vendet reagojnë ndaj tarifave.
Së bashku, Kina, Meksika dhe Kanadaja përbënin më shumë se 40% të importeve që SHBA ka bërë gjatë vitit të kaluar. Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se vendosja e tarifave është e nevojshme për të mbajtur këto shtete përgjegjëse për angazhimet e tyre lidhur me parandalimin e drogave të paligjshme që hyjnë në SHBA. Kërcënimi për shtimin e taksave është shpallur përmes Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente, për shkak të kërcënimeve që ato paraqesin për sigurinë dhe shëndetin publik.
Përveç tarifave, Presidenti Trump ka akuzuar qeverinë e Meksikës për një “aleancë të patolerueshme” me organizatat kriminale të trafikut të drogës. Në përgjigje, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum ka hedhur poshtë këto akuzata, duke i quajtur ato “shpifje”. Ajo ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të përqendrohen më shumë në luftimin e fluksit të armëve të paligjshme që arrijnë në Meksikë dhe armatosin kartelet, duke thënë se problemet nuk mund të zgjidhen me tarifa, por përmes dialogut.
Meksika po shqyrton masa hakmarrëse që mund të përfshijnë tarifa prej 25% për mallrat amerikane. Po ashtu, kanadezët janë gjithashtu të gatshëm të reagojnë. Kryeministri Justin Trudeau ka theksuar se Kanadaja nuk ka kërkuar këtë situatë, por do të mbrojë interesat e saj. Ai ka njoftuar se do të vendosë tarifa prej 25% për mallrat amerikane që kanë një vlerë totale prej 155 miliardë dollarësh. 30 miliardë dollarë të mallrave do të përballen me tarifat që do të hyjnë në fuqi të martën, ndërsa pjesa tjetër do të ndjekë më vonë pas 21 ditësh.
Kryeministri kanadez gjithashtu ka paralajmëruar se qeveria e tij po shqyrton masat jo-tarifore, veçanërisht në lidhje me prokurimin dhe mineralet kritike, por ende nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi këto masa. Tensionet midis këtyre shteteve të rëndësishme tregtare po rriten, dhe ka mbetur të shihet se si do të zhvillohen këto ngjarje në muajt në vijim.