“Sofra Çame” magjeps Sarandën me pasurinë e traditës dhe folklorit

Saranda u bë skenë e një spektakli të rrallë kulturor mbrëmjen e së shtunës, ku “Sofra Çame” mblodhi një publik të gjerë për të festuar dhe rikthyer në vëmendje trashëgiminë e pasur të Çamërisë.

Në sallën e Bashkisë, mes emocioneve dhe duartrokitjeve, u shpalosën këngët, vallet, kostumet dhe ritet tradicionale të kësaj krahine, duke krijuar një atmosferë mbresëlënëse.

Ky koncert u organizua si një homazh për traditën folklorike dhe patriotike të Çamërisë, duke sjellë në skenë elementët më përfaqësues të identitetit të kësaj treve. Përmes interpretimeve artistike, publiku pati mundësinë të përjetonte një rrugëtim nëpër historinë dhe kulturën çame.

Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte inskenimi i ninullës së djepit nga vajzat artiste, si dhe rikrijimi i riteve tradicionale, si qerasja e mikut dhe vallja me tumane të kuqe. Gjithashtu, elementë filmikë u përdorën për të ndriçuar figurat historike të Çamërisë, përfshirë personalitete të shquara si Hasan Tahsini dhe Bilal Xhaferi.

Një ndër pikat më të pritura të koncertit ishte interpretimi i Valles së Osman Takës, një simbol i krenarisë dhe qëndresës çame. Po aq emocionuese ishin edhe performancat që përfaqësonin simbolet natyrore të krahinës, si borziloku, manxurana dhe trëndafili i Çamërisë, të cilat shtuan hijeshinë e spektaklit.

Pjesë e rëndësishme e këtij eventi ishin edhe kostumet tradicionale të Çamërisë, të punuara enkas për të rinjtë dhe fëmijët pjesëmarrës. Falë mbështetjes së donatorëve, veshjet autentike sollën një dimension të veçantë në skenë, duke i dhënë koncertit ngjyrat e dikurshme të kulturës çame.

“Sofra Çame” u vlerësua si një manifestim i fuqishëm i trashëgimisë dhe identitetit kulturor, duke i dhënë jehonë folklorit të pasur të Konispolit dhe të gjithë krahinës së Çamërisë. Përmes këtij eventi, brezat e rinj u bënë protagonistë të një tradite të gjallë, duke siguruar vazhdimësinë e saj në kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin: