Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi në një intervistë për New York Post se udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelensky, është i vendosur për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Trump u shpreh se të dy liderët kanë diskutuar për paqen, ndërsa theksoi se presidenti rus, Vladimir Putin, ka humbur tashmë.
“Nuk hymë në detaje, por ai mendon se ka ardhur koha për paqe. Putin duhet ta kuptojë se lufta ka përfunduar për të, sepse kur humb mijëra njerëz, është e qartë që koha ka mbaruar. Kjo luftë nuk do të marrë fund derisa të ketë një marrëveshje paqeje,” deklaroi Trump. Ai shtoi se po kërkon një rrugë për t’i dhënë fund asaj që e quajti “luftë qesharake”.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zbuluar detaje nga bisedimet që pati me Trump dhe homologun francez Emmanuel Macron në një takim në pallatin Elysee, të mbajtur ditën e rihapjes së katedrales Notre-Dame.
Në një postim në rrjetin social “X”, Zelensky deklaroi se Ukraina dëshiron paqen më shumë se kushdo, por vetëm një rezolutë diplomatike e bazuar në forcë do të jetë e qëndrueshme. “Unë përsërita qartë: Ukraina dëshiron që kjo luftë të përfundojë. Një zgjidhje diplomatike do të shpëtonte jetë, dhe ne e kërkojmë atë. Por Putini nuk dëshiron paqe. Për të detyruar atë të tërhiqet, Ukraina duhet të tregojë forcë, fillimisht në fushën e betejës, pastaj në tryezën diplomatike,” shkroi Zelensky.
Ai nënvizoi rëndësinë e ndihmës ushtarake nga aleatët perëndimorë. Sipas tij, për të pasur sukses në fushëbetejë dhe për të siguruar paqe, Ukraina ka nevojë për armë moderne, përfshirë sisteme me rreze të gjatë si ATACMS, Storm Shadow dhe Scalp, të cilat janë kritike për të goditur objektiva ushtarake ruse.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka theksuar rëndësinë e unitetit të aleatëve perëndimorë në mbështetje të Ukrainës. Ai nënvizoi se qëndrueshmëria ushtarake e Ukrainës është baza për çdo përpjekje diplomatike të suksesshme.
Deklaratat e liderëve kanë ardhur në një moment kritik për luftën në Ukrainë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare shpreson për një zgjidhje që të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm. Të dy liderët, Trump dhe Zelensky, kanë treguar qartë se paqja është qëllimi përfundimtar, por rruga për të arritur deri aty mbetet e mbështetur në fuqinë dhe mbrojtjen e interesave kombëtare të Ukrainës.