Studimet e fundit tregojnë se të rinjtë po raportojnë nivelet më të larta të mjerimit, duke përmbysur modelin e njohur ku mosha e mesme ishte periudha më e palumtur.
Prej dekadash, sondazhet kanë treguar se mosha e mesme shënonte pikën më të ulët të lumturisë, ndërsa të rinjtë dhe të moshuarit raportonin kënaqësi më të madhe. Ky fenomen, i njohur si “U-ja e lumturisë”, ishte i qëndrueshëm në shumë vende, megjithëse mosha e krizës ndryshonte sipas kulturave.
Një studim i botuar nga ekonomistët David Blanchflower, Alex Bryson dhe Xiaowei Xu tregon se panorama ka ndryshuar. Në vend të një “U-je” të theksuar, të dhënat sugjerojnë një rritje të mjerimit tek të rinjtë, sidomos pas vitit 2019. Në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, të rinjtë nën 40 vjeç po përballen me ankth dhe dëshpërim në rritje, duke zhdukur modelin tradicional.
Ky trend nuk kufizohet vetëm te vendet anglofone. Sipas Global Mind Project, në 44 vende nga kontinente të ndryshme, gjendja mendore e të rinjve është më e keqe se ajo e të moshuarve. Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se kjo është një fotografi e momentit dhe nuk përjashtohet mundësia që kurba e vjetër të rikthehet në të ardhmen.
Të dhënat sipas brezave janë shqetësuese. Gjenerata Z po nis jetën e rritur më e palumtur se çdo brez tjetër, ndërsa Gjenerata X dhe milenialët kanë hyrë në krizën e moshës së mesme më herët se “boomer”-at. Arsyet nuk janë plotësisht të qarta, por disa faktorë të mundshëm përfshijnë tregun e punës, rënien e kënaqësisë në punë dhe ndikimin e teknologjisë.
Përdorimi i smartphone-ve dhe rrjeteve sociale shpesh përmendet si një faktor që ka ndikuar në shëndetin mendor të të rinjve që nga fillimi i viteve 2010. Megjithatë, kërkimet afatgjata nuk gjejnë gjithmonë një lidhje të drejtpërdrejtë. Ndërkohë, në disa vende të Europës Jugore, ulja e papunësisë tek të rinjtë ka sjellë një rritje të kënaqësisë.
Ka edhe shenja shprese. Një analizë e The Economist sugjeron se shëndeti mendor i të rinjve amerikanë po shënon përmirësime të lehta, duke hapur mundësinë që mosha e mesme të rikthehet si periudha më e vështirë – por këtë herë me një rini që ruan kujtime më pozitive.