Koncerti kulturor i 9 korrikut mblodhi studentë ndërkombëtarë dhe grupe artistike nga treva të ndryshme shqiptare për të promovuar folklorin dhe identitetin kulturor
Në kuadër të Universitetit Veror të Prishtinës 2025, më 9 korrik u mbajt një koncert festiv që solli në qendër të vëmendjes trashëgiminë kulturore shqiptare. Ky aktivitet, i cili u zhvillua në një atmosferë të gjallë dhe ndërkombëtare, mblodhi dhjetëra artistë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës.
Eventi kishte si qëllim prezantimin e këngëve, valleve dhe veshjeve tradicionale para pjesëmarrësve të huaj, në një natë që shndërroi skenën në një mozaik etnografik nga gjithë trevat shqiptare. Grupi “Visaret e Krrabës” nga Tirana, nën drejtimin e Ilir Selbës, përfaqësoi Shqipërinë me një valle të dyfishtë karakteristike të zonës së Tiranës, duke sjellë një interpretim të fuqishëm të folklorit vendas.
Në koncert performuan edhe: AKV “Minatori” nga Kishnica, AKV “Trojet Tona” nga Ulqini, QKF “Prishtina” nga kryeqyteti, Qendra Kulturore “Anamorava” nga Viti, SHKA “Karadaku” nga Gjilani, dhe AKV “Zëri i Kosovës” nga Fushë Kosova. Të gjithë sollën në skenë këngë e valle tradicionale që pasqyruan larminë kulturore shqiptare.
Drejtimin artistik të koncertit e kishte Skënder Thaqi, i cili theksoi se fokusi i mbrëmjes ishte prezantimi i folklorit autentik përmes formave tradicionale të valleve dyshe. Ai vlerësoi përkushtimin e brezave që kanë ruajtur e përcjellë këtë trashëgimi ndër vite, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Salla ishte mbushur plot me studentë ndërkombëtarë që morën pjesë në ditën e hapur të Universitetit Veror. Shumë prej tyre për herë të parë përjetuan nga afër një koncert me muzikë dhe valle shqiptare, duke e cilësuar eksperiencën si të paharrueshme.
Ansamblet sollën harmoni në skenë, duke ndërthurur ritmet tradicionale me koreografi të pasura dhe veshje popullore, duke krijuar një atmosferë të veçantë që i bëri pjesëmarrësit të ndihen pjesë e një trashëgimie të gjallë kulturore.
Ky koncert vjen drejtpërdrejt nga Prishtina përmes televizionit Apollon, duke i dhënë jehonë më të gjerë promovimit të kulturës shqiptare në nivel ndërkombëtar dhe duke përforcuar rolin e artit në ndërtimin e urave mes popujve.