Arthur A., një 21-vjeçar nga Grazi, vrau në mënyrë brutale nëntë nxënës dhe një mësues, duke shkaktuar tmerr në shkollën austriake, përpara se t’i jepte fund jetës së tij me vetëvrasje.
Mediat austriake kanë zbardhur identitetin dhe fotot e autorit të masakrës që tronditi opinionin publik. Arthur A., një i ri vetëm 21 vjeç, qëlloi për vdekje dhjetë persona, përfshirë nëntë nxënës dhe një mësues, gjatë një sulmi të tmerrshëm në një shkollë në Graz. Pas aktit të rëndë, ai kreu vetëvrasje.
Në fotot e publikuara, Arthur A. shihet si adoleshent dhe në një tjetër moment mban në krahë një mace të vogël, një detaj që ka tërhequr vëmendjen e publikut. Jetonte me nënën e tij beqare, ndërsa babai i tij është me origjinë armene.
Autoritetet austriake vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet e autorit. Sipas informacioneve nga mediat vendase, në dhomën e tij u gjet një shënim vetëvrasjeje, ku i riu tregonte se kishte dështuar në mësime dhe shprehte dëshirën për të fajësuar dikë tjetër për vështirësitë e tij. Po ashtu, raportimet tregojnë se ai kishte mbetur në të njëjtën klasë disa herë.
Në një video lamtumire, të regjistruar në telefonin e tij pak para sulmit dhe të dërguar nënës, Arthur i kërkoi falje për veprimin që do të kryente dhe e falënderoi për kujdesin që kishte treguar. Mediat austriake raportojnë se nëna e tij pa videon vetëm 24 minuta pasi e mori, në një kohë kur tragjedia kishte ndodhur tashmë.
Gjithashtu, i riu kishte lënë një letër ku akuzonte shkollën për ngacmim dhe kërkonte që të kujdeseshin për macen e tij. Detaje të tjera të zbardhura nga autoritetet tregojnë se Arthur A. kishte leje për armë, por jo për armë zjarri. Ligji në Austri lejon të rinjtë mbi 18 vjeç të blejnë pushkë, ndërsa për revolver duhet vlerësim psikiatrik.
Sulmuesi përdori një pistoletë dhe një pushkë për të hapur zjarr në dy klasa dhe ambiente të tjera të shkollës. Në banesën e tij u gjet edhe një pajisje shpërthyese, e cila rezultoi të ishte jashtë funksionit. Viktimat ishin kryesisht të moshave 14 deri 17 vjeç, ndërsa mësuesi viktimë ishte 59 vjeç. Ngjarja ka tronditur opinionin në Austri, duke nxitur diskutime për sigurinë në shkolla dhe kujdesin ndaj të rinjve.