Shtohen tensionet mes Izraelit dhe aleatëve perëndimorë pas sanksioneve të reja ndërkombëtare

Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Marco Rubio, kritikon vendimin e Britanisë dhe vendeve aleate për të vendosur sanksione ndaj ministrave izraelitë, duke theksuar se kjo nuk ndihmon procesin e armëpushimit dhe përpjekjet ndërkombëtare për paqe në Lindjen e Mesme.

Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Marco Rubio, reagoi ashpër ndaj vendimit të Mbretërisë së Bashkuar dhe katër vendeve të tjera për të sanksionuar dy ministra të qeverisë izraelite, të cilët akuzohen për nxitje të dhunës ndaj palestinezëve. Rubio theksoi se këto masa ndëshkuese nuk ndihmojnë përpjekjet që udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm, për lirimin e pengjeve dhe për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

Ndërkohë, Rubio ripohoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen ndaj Izraelit, duke u shprehur se qëndrojnë “krah për krah me Izraelin” në përballjen me sfidat e sigurisë dhe presionet ndërkombëtare.

Sanksionet u vendosën nga Mbretëria e Bashkuar, Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Norvegjia, të cilat ndaluan udhëtimet dhe ngrinë asetet e ministrave izraelitë Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir, për shkak të deklaratave të tyre nxitëse ndaj palestinezëve. Këto masa kanë nxitur reagime të ashpra nga qeveria izraelite, e cila i konsideron sanksionet si një sulm ndaj shtetit dhe qytetarëve të saj.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka bërë të ditur se do të ndërmerren hapa reciprokë ndaj vendeve që vendosën sanksionet, duke i cilësuar këto masa si “të rrezikshme” dhe si një tentativë për të ndaluar Izraelin nga mbrojtja e interesave të veta dhe fitores në luftën aktuale.

Smotrich theksoi se vendet që ndërmorën këto hapa synojnë të pengojnë veprimet e Izraelit dhe të favorizojnë, sipas tij, krijimin e një shteti terrorist në rajon. Ai shtoi se në bashkëpunim me kryeministrin do të formulohet një paketë kundërpërgjigje ndaj këtyre vendeve dhe Autoritetit Palestinez.

Përmes një postimi në rrjetin “X”, Smotrich falënderoi publikisht sekretarin Marco Rubio për mbështetjen e tij, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i palëkundur që dallon qartë të drejtën nga e gabuara në skenën ndërkombëtare.

Ndaj Postimin: