Banorët dhe fermerët e Fier-Sheganit promovojnë trashëgiminë kulturore dhe bujqësore në një festë që po kthehet në traditë të përvitshme për zonën
Në qendrën administrative Fier-Shegan, në Bashkinë Lushnjë, u zhvillua këtë të martë panairi “Tradita Myzeqare”, një ngjarje që po merr gjithnjë e më shumë përmasat e një feste të përvitshme për komunitetin vendas. Aktiviteti u organizua në sheshin përpara shkollës 9-vjeçare, nën kujdesin e Bashkisë Lushnjë dhe mbështetjen e veçantë të kryebashkiakes Eriselda Sefa, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Panairi mblodhi së bashku banorë, fermerë, artizanë dhe dashamirës të kulturës tradicionale myzeqare, të cilët ekspozuan prodhimet bujqësore të zonës, gatime të veçanta tradicionale, si dhe veshje popullore karakteristike. Nën tingujt e muzikës folklorike dhe me valltarët e grupit të Fier-Sheganit, festa mori nota gëzimi e krenarie për trashëgiminë kulturore që përcillet brez pas brezi.
Në çdo stendë ekspozuese, përveç prodhimeve të tokës, vizitorët mund të shijonin recetat tradicionale të guzhinës lokale, të përgatitura nga familjet dhe lokalet e zonës. Bukuria e kostumeve popullore dhe meloditë e kabares myzeqare i dhanë ngjarjes një atmosferë të ngrohtë e plot ngjyra, duke reflektuar më së miri pasurinë kulturore që kjo krahinë mbart.
Pjesë e rëndësishme e panairit ishte edhe grupi folklorik i fshatit Barbullinjë, i themeluar që në vitin 1958, i cili vazhdon të ruajë me fanatizëm traditën e këngës dhe valleve popullore. Ky grup mbetet një simbol i gjallë i trashëgimisë shpirtërore të zonës dhe i përkushtimit të komunitetit për të mos harruar rrënjët.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të lartë vendorë dhe qendrorë. Kryetarja e Bashkisë, znj. Eriselda Sefa, e shoqëruar nga deputeti i Lushnjës dhe ministri i Financave, z. Petrit Malaj, vizituan stendat dhe biseduan nga afër me qytetarët dhe fermerët për sfidat dhe nevojat e zonës.
Panairi “Tradita Myzeqare” po konsolidohet si një ngjarje e rëndësishme për promovimin e potencialit bujqësor dhe turistik të Fier-Sheganit. Aktiviteti ndihmon në forcimin e identitetit lokal dhe ruajtjen e vlerave kulturore të Myzeqesë, duke krijuar një urë të natyrshme ndërmjet brezave dhe një model frymëzues për zona të tjera rurale të vendit.