TIRANË–ELBASAN, MAKTHI I TRAFIKUT.
13 vite pas inaugurimit të tunelit të Kërrabës, autostrada Tiranë–Elbasan vijon të përballet me radhë kilometrike,
Ku çdo ditë, e njëjta histori. Autostrada Tiranë–Elbasan, në dalje të saj drejt rrethrrotullimit të Bradashesh dhe në kahun e kundërt, përballet me trafik të rënduar dhe radhë kilometrike, veçanërisht në fundjavë dhe gjatë sezonit veror.
Mijëra qytetarë që zgjedhin këtë aks për të udhëtuar drejt Elbasanit apo anasjelltas, përballen në oraret e pikut me vonesa që e zbehin ndjeshëm përparësinë e autostradës ndaj rrugës së vjetër Tiranë–Elbasan, përmes Kërrabës.
13 vite më parë, me inaugurimin e tunelit, qytetarët menduan se do t’i jepnin fund një prej rrugëve më të lodhshme të vendit, të ndërtuar dekada më parë. Por sot, kjo rrugë e vjetër është rikthyer si alternativë për të shmangur trafikun.
Për shumë drejtues mjetesh, situata në dalje të autostradës është kthyer në një makth të përditshëm. Problematika bëhet edhe më e rëndë gjatë muajit gusht, kur fluksi i emigrantëve dhe turistëve rrit ndjeshëm lëvizjet drejt jugut dhe lindjes së vendit.
Edhe pse kjo autostradë është inauguruar disa herë dhe problematika në këtë segment është e njohur, trafiku vijon të mbetet një shqetësim i madh për qytetarët.
13 vite pas hapjes së saj, aksi Tiranë–Elbasan ende nuk duket se e ka marrë formën e një rruge ku lëvizja të jetë e shpejtë dhe e pandërprerë. Koston e kësaj situate e paguajnë çdo ditë drejtuesit e mjeteve, me kohë të humbur, karburant të shpenzuar dhe stres në trafik.