Termocentrali i ri në Roskovec, një investim i përbashkët Greko-Shqiptar

Qeveria ka dhënë dritën jeshile për ndërtimin e një termocentrali të ri në Roskovec, Fier, me kapacitet të instaluar prej 170 megavatësh.

Projekti do të realizohet nga shoqëria greko-shqiptare “Fier Thermoelectric” sh.a., ku aksionerë janë kompanitë greke DEPA COMMERCIAL S.A. (35%), GEK TERNA Holdings (35%) dhe Gener 2, e cila zotëron 30% të aksioneve.

Gener 2, që drejtohet nga biznesmeni Bashkim Ulaj, ka pasur një histori të gjatë bashkëpunimi me sektorin publik, shpesh duke përfituar tendera dhe koncesione. Ulaj, i cili zotëron edhe një kanal televiziv, është njohur për lidhjet e tij me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Vendimi për termocentralin është firmosur nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë, Belinda Balluku. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, afati për ndërtimin dhe vënien në operim të objektit është 36 muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ndërsa termocentrali do të operojë për një periudhë 49-vjeçare.

Shoqëria “Fier Thermoelectric” sh.a. do të ketë detyrimin të raportojë çdo tre muaj mbi progresin e punimeve, duke respektuar të gjitha kushtet e përcaktuara në lejet dhe licencat mjedisore. Për të garantuar zbatimin e marrëveshjes, kompania do të dorëzojë një garanci kontrate prej të paktën 5% të vlerës së investimit para nënshkrimit të marrëveshjes me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Një nga detyrimet kryesore të shoqërisë është transferimi i 2% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si royalty, ose ekuivalentin e saj në vlerë monetare.

Përveç detyrimeve financiare dhe teknike, projekti do të jetë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të siguruar që ndërtimi dhe funksionimi i tij të jenë në përputhje me rregulloret dhe standardet.

Ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës energjetike të vendit dhe pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme për rajonin e Fierit dhe ekonominë shqiptare në tërësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera