Një 26-vjeçar është vënë në pranga në Fier, pasi dyshohet se shiste kokainë në doza dhe tentoi të arratisej gjatë operacionit policor.
Sipas autoriteteve, shtetasi Yzeir Elmazaj, 26 vjeç, banues në Fier, u kap në flagrancë nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, teksa posedonte lëndë narkotike me qëllim shpërndarjen në qytet.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij dhe automjetit që drejtonte, Policia gjeti 81 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Në momentin e ndërhyrjes, i riu tentoi të largohej, por u ndalua dhe u arrestua.
Në vijim të veprimeve procedurale, Policia sekuestroi si prova materiale lëndën narkotike, një automjet dhe tre telefona celularë.
Çështja i është referuar Prokurorisë së Fierit, e cila do të vijojë veprimet hetimore dhe procedurale ndaj 26-vjeçarit.