Në një deklaratë të ashpër nga Shkodra, zëdhënësi i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si një organizatë kriminale që, sipas tij, garanton imunitet politik për qeverinë dhe grupet kriminale.
Kjo deklaratë erdhi teksa Blushi nisi takimet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke e cilësuar arrestimin e kreut të PL-së, Ilir Meta, si një akt të motivuar politikisht dhe të urdhëruar nga regjimi aktual.
Blushi u shpreh se arrestimi dhe izolimi i Metës është një “veprim banditesk”, duke theksuar se ish-presidenti po mbahet pa prova dhe dëshmi të qarta. “Meta është izoluar për shkak të mbrojtjes së interesit kombëtar dhe të integritetit territorial të Shqipërisë,” deklaroi ai, duke përmendur edhe çështjen e shitjes së detit si një nga arsyet kryesore të qëndrimit të tij kundër qeverisë.
Akuzat e Blushit nuk u kufizuan vetëm ndaj SPAK-ut. Ai e quajti regjimin aktual një “pushtet kriminal” që ka shpopulluar Shqipërinë gjatë 11 viteve të fundit dhe po përdor institucionet shtetërore për të penguar opozitën politike. “Regjimi është duke goditur ata që janë në krye të betejës për çlirimin e Shqipërisë nga korrupsioni dhe krimi,” tha ai.
Në këtë kontekst, Blushi komentoi edhe masakrën e fundit në Dobraç të Shkodrës, ku humbën jetën katër persona. Ai e quajti ngjarjen një shembull tragjik që pasqyron fuqinë e bandave në qeverisjen e vendit. “Kjo ngjarje tregon se Shkodra, qyteti simbol i lirisë dhe demokracisë, sot vuan nën diktaturën e mafies në pushtet,” deklaroi Blushi.
Gjithashtu, Blushi kritikoi regjimin aktual për pasigurinë dhe autoritarizmin që, sipas tij, ka pllakosur Shkodrën dhe Shqipërinë. “Pas tre dekadash nga rënia e komunizmit, është e papranueshme që ky qytet vazhdon të vuajë, por këtë herë nën një diktaturë mafioze,” shtoi ai.
Ai përcolli edhe një mesazh nga Ilir Meta, duke përshëndetur mbështetësit dhe duke u zotuar për vazhdimin e betejës kundër regjimit. Sipas Blushit, izolimi i Metës synon pengimin e angazhimit të tij politik, por opozita mbetet e vendosur për të çliruar Shqipërinë nga, siç e quajti ai, “rregjimi kriminal.”
Blushi përfundoi duke ritheksuar rolin e Shkodrës si një simbol i rezistencës dhe lirisë, ndërsa premtoi se Partia e Lirisë do të vazhdojë të luftojë për një të ardhme më të drejtë dhe më të sigurt për qytetarët shqiptarë.