Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar ashpër qeverinë për trajtimin ndaj pensionistëve, duke e cilësuar shpërblimin e fundvitit si një “lëmoshë elektorale” dhe një përpjekje propagandistike për të mbuluar dështimet e 11 viteve të fundit.
Në një video të postuar në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se ky shpërblim nuk mund të kompensojë vuajtjet dhe mungesën e respektit ndaj këtij grupi shoqëror.
Sipas Tabakut, pensionistët shqiptarë përballen me një realitet të zymtë ekonomik, duke shpenzuar deri në 50% të të ardhurave të tyre për ushqime, ndërsa çmimet e konsumit janë rritur ndjeshëm, me 55% vetëm për shportën bazë. “A mund të lahen dështimet 11-vjeçare të qeverisë me një shpërblim të përkohshëm? Pensionistët meritojnë më shumë se kaq,” tha ajo.
Tabaku vuri në dukje se pensionistët në Shqipëri marrin pensionet më të ulëta në rajon dhe përballen me një ulje të vazhdueshme të fuqisë blerëse. Ajo kritikoi dështimin e reformës së pensioneve dhe tërheqjen masive të krahut të punës nga vendi, duke paralajmëruar se këto fenomene do të thellojnë më tej krizën në skemën e pensioneve.
“Në vend që të sigurohen kushte më të mira për jetesën e pensionistëve, ata trajtohen thjesht si një grup elektoral. Kjo është një fyerje për kontributin që kanë dhënë ndër vite për ndërtimin e Shqipërisë,” theksoi deputetja, duke kërkuar ndryshime thelbësore në politikat sociale dhe ekonomike.
Tabaku akuzoi qeverinë për mungesë respekti ndaj pensionistëve, duke mos arritur t’i indeksojë pensionet sipas rritjes së çmimeve dhe duke shkurtuar ilaçet e rimbursuara. “Këta qytetarë janë lënë në mëshirë të fatit. Çdo shpenzim mujor, nga transporti publik te faturat dhe ilaçet, e bën jetën e tyre gjithnjë e më të vështirë,” shtoi ajo.
Deputetja propozon një riorganizim të sistemit të pensioneve, duke e vendosur dinjitetin dhe vlerësimin në qendër. Ajo kërkoi që fondet e pensioneve të përdoren për të garantuar pensione dinjitoze, jo për shpërblime të përkohshme. “Ekonomia shqiptare nuk punon për 95% të qytetarëve, por për një pakicë që përfiton në kurriz të të tjerëve,” tha Tabaku.
Në përfundim, ajo kërkoi ndryshimin e modelit aktual ekonomik dhe politik, duke i kthyer respektin dhe vlerësimin e merituar pensionistëve. “Ata nuk janë vetëm vota elektorale; ata janë ndërtuesit e këtij vendi dhe meritojnë një jetë me dinjitet,” përfundoi Tabaku.