Në Njësinë Administrative Lumas u zhvillua një takim me strukturat e emergjencave civile, në kuadër të masave parandaluese për sezonin veror, kur temperaturat e larta rrisin rrezikun e zjarreve dhe situatave emergjente.
Takimi u organizua nga Bashkia Kuçovë dhe mblodhi drejtues të institucioneve vendore, përfaqësues të Njësisë Administrative Lumas, kryetarë fshatrash, vullnetarë nga të gjitha fshatrat e zonës, përfaqësues të Drejtorisë së Bujqësisë , Emergjencave Civile dhe sektorit zjarrfikës.
Aktiviteti u zhvillua nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, me pjesëmarrjen e përgjegjësit të Emergjencave Civile, Fatmir Doksani, drejtuesit të sektorit zjarrfikës për Bashkinë Kuçovë, Teodor Mërtiri, si dhe drejtuesit të Njësisë Administrative Lumas, Ardjan Çilaj e drejtori i buqësis pranë bashkis kuçovë zoti Nazmi Suli .
Njësia Administrative Lumas përbëhet nga 13 fshatra kodrinore me rreth 6 mijë banorë. Rreth 90 për qind e sipërfaqes bujqësore është e mbjellë me ullinj, ndërsa territori përfshin rreth 3400 hektarë pyje, duke e bërë zonën veçanërisht të ndjeshme ndaj rrezikut të zjarreve gjatë stinës së verës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtuesi i Njësisë Administrative Lumas, Ardjan Çilaj, falënderoi kryetarët e fshatrave, vullnetarët dhe strukturat e përfshira në menaxhimin e emergjencave, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe gatishmërisë maksimale për përballimin e çdo situate të mundshme gjatë muajve të verës.