Tabaku: Rritja me 20 lekë e pensioneve në ditë, qesharake.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e ka cilësuar të qesharake rritjen e fundit të pensioneve, që sipas saj përkthehet në vetëm 20 lekë më shumë në ditë.

Ajo shprehet se kjo rritje është një përpjekje e dobët për të mbuluar rënien e fuqisë blerëse dhe sfidat e vështira ekonomike me të cilat përballen mbi 700 mijë pensionistë në Shqipëri.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku thekson se një pensionist në Shqipëri merr mesatarisht vetëm 131 euro në muaj, shumë më pak se pensionistët në vendet fqinje dhe në Bashkimin Europian, ku pensionet janë gati dyfish më të larta.

“Pensionet shqiptare nuk arrijnë të mbulojnë as nevojat më të thjeshta të jetesës, dhe kjo është një padrejtësi e madhe për një brez që ka kontribuar aq shumë për këtë vend,” deklaroi ajo.

Tabaku thekson se rritja e pagave dhe pensioneve nuk duhet të jetë vetëm një manovër propagandistike nga ana e qeverisë. Politikat aktuale fiskale dhe ekonomike, sipas saj, përfitojnë një pakicë të privilegjuar ndërkohë që shumica e qytetarëve përballet me vështirësi të mëdha ekonomike.

“Një skemë e dështuar e pensioneve, si ajo e miratuar në vitet 2014-2015, nuk mund të sjellë të ardhura të denja për qytetarët tanë në moshë të tretë,” përfundoi Tabaku.

Sipas saj, ky dështim i skemës së pensioneve lidhet ngushtë me problemet e ekonomisë së vendit. Ajo vë në dukje se rritja e pagave dhe politika e formalizimit të detyruar kanë krijuar një iluzion të zhvillimit ekonomik, ndërkohë që në realitet situata po përkeqësohet. Bizneset po detyrohen të rrisin pagat pa ndonjë rritje reale të produktivitetit, duke çuar në më shumë informalitet dhe mbylljen e shumë bizneseve të vogla.

Për më tepër, ajo thekson se rritja e pagës minimale është përdorur si një mjet propagandistik për të treguar një përmirësim të kushteve ekonomike, por në fakt kjo nuk ka sjellë përfitime reale për qytetarët. Rritja e detyruar e pagës minimale ka rritur shpenzimet e biznesit, duke i detyruar shumë prej tyre të reduktojnë numrin e të punësuarve, gjë që ka shtuar papunësinë dhe pasigurinë ekonomike në vend.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera