Sejko në Uashington. Takim me përfaqësuesit e FMN-së.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB) në Uashington, SHBA.

Ndër të tjera, ai pati një takim të veçantë me Federico Giammusso, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN.

Gjatë takimeve, Guvernatori Sejko informoi përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së mbi zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe perspektivat e mëtejshme të vendit. Ai theksoi se, si shumë vende të tjera, Shqipëria është përballur me sfida ekonomike globale dhe një inflacion të lartë.

“Shqipëria e ka kaluar sfidën me inflacionin e shkaktuar nga konflikti në Ukrainë dhe tani inflacioni është në nivele të ulëta. Tregjet financiare janë të qeta dhe të përgatitura për të mbështetur ekonominë shqiptare në rrugën e saj për zhvillim,” deklaroi Guvernatori Sejko.

Në lidhje me politikat makroekonomike, ai theksoi se ato do të jenë të përqendruara në sigurimin e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike për periudhën afatmesme.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së përgëzuan Shqipërinë për progresin në zhvillimin ekonomik dhe veçanërisht për hapjen e negociatave me BE-në për kapitullin e parë të integrimit. Ata vlerësuan përmirësimin e bërë nga Agjencia Moody’s, e cila ka rritur vlerësimin e Shqipërisë në Ba3 – e qëndrueshme, nga B1 – pozitive.

Ata shprehën gjithashtu vlerësime për reformat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për stabilitetin financiar dhe stabilitetin e çmimeve, të cilat mbeten objektivat kryesore të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera