Kryetarja e Dhomës së Ulët të Parlamentit Çek, Markéta Pekarová Adamová, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri, zhvilloi një takim me Kryetaren e Komisionit për Çështjet Europiane, deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Takimi u përqendrua në procesin e integrimit europian dhe në forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Çekisë.
Adamová vlerësoi aleancën mes dy vendeve brenda NATO-s, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për të luftuar ndikimet e huaja, përfshirë ato ruse. Ajo riafirmoi mbështetjen e Çekisë për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, me synimin që procesi të përfundojë deri në vitin 2030. Kryeparlamentarja çeke evidentoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në këtë proces si një mënyrë për të garantuar qëndrueshmëri dhe zhvillim.
Tabaku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë, duke kujtuar se procesi i integrimit të Shqipërisë filloi gjatë Presidencës Çeke në 2013. Ajo ngriti shqetësime për emigracionin masiv nga Shqipëria, duke theksuar se 40% e forcës së punës ka emigruar drejt vendeve të BE-së, çka përbën një sfidë serioze për të ardhmen e vendit.
Në takim u diskutuan edhe sfidat për demokracinë në Shqipëri, përfshirë moszbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR mbi reformën zgjedhore. Tabaku sugjeroi se Komisioni për Çështjet Europiane duhet të shndërrohet në një platformë qendrore informacioni dhe koordinimi për integrimin europian, duke përfshirë aktorë të tjerë kombëtarë në këtë proces.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte rritja e marrëdhënieve tregtare dhe investimeve mes Shqipërisë dhe Çekisë, duke parë bashkëpunimin ekonomik si një mundësi për zhvillim dhe stabilitet.
Në fokus ishte gjithashtu çështja e Kosovës dhe stabiliteti rajonal. Të dyja palët nënvizuan nevojën për zgjidhje konstruktive dhe bashkëpunim të ngushtë në Ballkanin Perëndimor për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm.
Tabaku dhe Adamová diskutuan gjithashtu çështje sociale që prekin të rinjtë, si banesat e përballueshme, rritja e pagave dhe përmirësimi i standardeve të punës. Të dyja palët ranë dakord se integrimi europian mund të shërbejë si një mjet efektiv për të adresuar këto sfida dhe për të krijuar më shumë mundësi për brezin e ri.
Takimi mbylli me angazhimin për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve, duke përfshirë ndarjen e përvojave dhe asistencën teknike për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.